Java Franceze e Kulturës, për herë të parë në Tiranë shfaqja ujore “Fous de Bassin”/ Veliaj: Falas për publikun

15/05/2024 16:14

Për herë të parë në Tiranë do të zhvillohet Java Kulturore e Francës. Nga data 13 deri më 19 maj,  do të ketë aktivitete të larmishme si koncerte, ekspozita, shfaqje, kulinari, lojëra apo shfaqje cirku.

E veçanta e Javës Kulturore të Francës është patjetër edhe shfaqja ujore dhe piroteknike “Fous de Bassin” e cila vjen në datat 15 dhe 16 maj nga Ilotopie, trupa e mirënjohur e teatrit bashkëkohor në Francë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj fton qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj shfaqje magjike, ku 15 artistë do të performojnë në ujë, në Liqenin Artificial të Tiranës dhe gjithçka do të jetë falas për publikun.

Shfaqja nis në orën 20:00 dhe për 50 minuta, qytetarët do të ketë mundësinë të shijojnë muzikë origjinale, kostume dhe dekorime mbresëlënëse, të pa realizuar ndonjëherë në vendin tonë.

“Fous de Bassin” e cila organizohet nga kompania teatrore Ilotopie, më herët është shfaqur në të gjithë botën, nga Londra, Çikago, Sidnei, Buenos Aires, Singapor, Marseja, Lioni, Portugalia, Kolumbia, Venezuela, Maroku, Belgjika, Venecia apo Roma.

Top Channel