Java kulturore e Francës, larmishmëri aktivitetesh ku përfshihen koncerte, ekspozita dhe lojëra

13/05/2024 20:44

Javët Kulturore Ndërkombëtare kanë mbërritur në stacionin francez. 

Duke filluar prej të hënës, koncerte, ekspozita, shfaqje, kulinari, lojëra, dhe argëtimi francez do të shpërndahen në disa aktivitete.

Tek Piramida u çel ekspozita e skulpturës “Richard Orlinski” dhe njëkoësisht u hap “KubFranceTirana”, ndërsa të gjithë adhuruesit e muzikës do të kenë mundësinë të dëgjojnë Dj Dylan Dylan.

“Hapësira e Piramidës i është kushtuar inovacionit, teknologjisë dhe kulturës për të rinjtë shqiptarë. Kështu që ne kemi krijuar një program që jep informacion për mobilitetet studentore. Dhe për të zbuluar muzetë franceze nëpërmjet teknologjisë”, tha Pierre Raynaud, drejtor i Institutit Francez të Shqipërisë.

E veçanta e Javës Kulturore të Francës do të jetë edhe shfaqja ujore dhe piroteknike “Fou de bassin” e cila vjen në datat 15 dhe 16 maj nga Ilotopie, trupa e mirënjohur e teatrit bashkëkohor në Francë. 15 artistë do të performojnë në ujë, në Liqenin Artificial të Tiranës dhe shfaqja do të jetë e aksesueshme për të gjithë publikun.

“Ju lutem ejani të zbulojmë teknologjinë franceze nëpërmjet javës së kulturës franceze”, tha Raynaud.

Ndërsa me 14-15 maj, po tek Piramida adhuruesit e lojërave do të kenë mundësinë të marrin pjesë në aktivitetin e lojërave “Krijuar në Francë”. Pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare janë 20 shtete, të cilat do të sjellin në vendin tonë me mijëra aktivitete deri në Nëntor.

Top Channel