Një natë më parë emisioni Fiks Fare solli rastin e një punonjësi policie i cili me shantazhin se do t’i publikonte fotot nudo i kishte marrë një zonje 3 milion lekë.
Edhe pse ishin dhënë paratë polici vazhdonte dhe me miqtë e tij diskutonte për foto, video dhe shantazhin. Njërin prej tyre Fiksi e solli me zë dhe figurë, z.Qemal Demiri që për denoncuesen ishte profesor.
Në momentin që Fiksi e telefonoi punonjësin e policisë, ai në fillim u justifikua se lekët denoncuesja ua kishte borxh, më vonë tha se deklarata u bë që ajo të rrinte e qetë nga fotot e videot nudo me të cilat shantazhohej.
Në këtë histori u përfshi akoma më shumë profesor Qemali, kur bashkë me policin shkruan një deklaratë në lokal në emër të denoncueses, ku hidhej poshtë gjithë situata, por që në të vërtet ishte një mashtrim i thurur nga polici në prani të profesorit ndërmjetës. Kjo deklaratë u shkruan pasi polici u kontaktua nga gazetarët e Fiksit.
Menjëherë pas kësaj kronike Policia e Shtetit ka dalë me një reagim zyrtar ku njofton se punonjësi i policisë Jonuz Koçi është pezulluar nga detyra dhe se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur ndaj tij hetim penal.
Ndërkohë që reagoi policia ka reaguar edhe profesori që bënte ndërmjetësimin mes shantazhuesit dhe të shantazhuarës. Profesori pohoi se polici shantazhues i kishte treguar fotot nudo të zonjës, gjithashtu edhe se për mos publikimin e tyre kishte marrë 3 milionë lekë.
Qemal Demiri kërkoi të sqaronte rolin e tij në histori edhe pse ditën që në lokal shkruhej nga polici deklarata në emër të së shantazhuerës, nuk pranoi t’i takonte gazetarët.
“Kam ardhur të sqaroj se isha ndërmjetës, nuk e di ça shkruhej në deklaratë se nuk e lexova dhe e hodha sa dola”, thotë profesori.
I tensionuar z.Demiri nuk do t’ju përgjigjet pyetjeve të gazetares , madje kur ai pyetet se përse po shkruhej deklarata ai thotë sepse polici do t’i kthente lekët vetëm që zonja ta linte rehat. “Atë ditë që shkruajtëm deklaratën polici do kthente lekët, sepse do i kthente nuk e di edhe pse isha ndërmjetësi” thotë profesori.
Madje në momentin që gazetarja e pyet mbi fotot nudo që kishte parë ai çohet dhe ikën nga intervista. “Do ju padis se keni dhënë gjëra të turbullta”, thotë Qemali ndërmjetës ndërkohë që emisioni Fiks Fare provoi me audio e video se sa i brendshëm ishte ndërmjetësi dhe se çfarë roli luajti së bashku me policin shantazhues në kurriz të denoncueses.
Top Channel