Burri i Ana Maria Knezevich Henao, një grua që u raportua e zhdukur ndërsa ishte në Spanjë në shkurt, është arrestuar në Florida, konfirmoi FBI të hënën.
David Knezevich, 36 vjeç, nga Fort Lauderdale, Florida, është në paraburgim si i akuzuar për përfshirje në rrëmbimin e gruas së tij më 2 shkurt 2024, sipas zëdhënësit të FBI-së, James Marshall.
Arrestimi i tij u bë të shtunën nga Shërbimi Diplomatik i Sigurisë dhe FBI në Aeroportin Ndërkombëtar të Majamit, tha Marshall. Policia Kombëtare Spanjolle, Doganat dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA, Shërbimi i Sigurisë Diplomatike dhe FBI po vazhdojnë hetimet e tyre.
40 vjeçarja u raportua e zhdukur në shkurt pasi ajo nuk arriti të takonte një mik në Madrid.
Vëllai i saj, Juan Felipe Henao, i tha CNN se ajo duhej të merrte një tren për në Barcelonë me një mik më 5 shkurt, por motra e tij nuk u shfaq kurrë në stacionin e Madridit. Shoqja e Knezevich Henao, Sanna Rameau, tha se ajo shkëmbeu mesazhet e fundit me të më 2 shkurt.
Rameau i tha CNN se është e lumtur pasi mësoi për arrestimin. “Unë shpresoj se do të marrim disa përgjigje,” tha ajo.
Rreth kohës kur ajo u zhduk, Rameau tha se mori një mesazh në WhatsApp nga Knezevich Henao ku shkruhej: “Kam takuar dikë të mrekullueshëm!! Ai ka një shtëpi verore rreth 2 orë nga Madridi. Tani po shkojmë atje dhe do të kaloj disa ditë atje. Do të të telefonoj kur të kthehem.”
Në mesazh ajo kishte shkruar se burri i ishte afruar asaj në rrugë një ditë më parë, ndërsa ajo po ecte. “Lidhje e mrekullueshme. Si kurrë më parë”, përfundonte mesazhi.
Rreth kohës kur ajo u zhduk, dikush lyente lentet e dy kamerave të sigurisë të ndërtesës së apartamentit ku Knezevich Henao po qëndronte në lagjen e pasur Salamanca të Madridit, i tha CNN mbikëqyrësi i ndërtesës. Kamerat ishin në hyrje të ndërtesës dhe pranë ashensorit, tha mbikëqyrësi. Është e paqartë nëse ngjarja lidhet me zhdukjen e saj.
Mbikëqyrësi i ndërtesës dhe dy persona të tjerë i thanë CNN se policia kishte hyrë në banesën e Knezevich Henao më 12 shkurt me autorizim gjyqësor.
Vëllai i saj dhe Rameau i thanë CNN se kishin qenë në kontakt, veçmas, me Knezevich në ditët pas zhdukjes së saj, dhe ai u tha atyre se ishte në Serbi. CNN u përpoq të kontaktonte Knezevich në shkurt, por nuk mori një përgjigje.
Dy persona që e dinë situatën i thanë CNN-it Knezevich Henao fillimisht e kishte marrë me qira apartamentin në Madrid nga 5 janari deri më 5 shkurt. Më pas kërkoi të zgjaste rezervimin për një muaj tjetër – deri më 5 mars.
Faqja e internetit e një kompanie shërbimesh kompjuterike në Florida të Jugut, EOX Technology Solutions, rendit David Knezevich si CEO dhe drejtor menaxhues. Ai thotë se David Knezevich është serb dhe Knezevich Henao është me origjinë nga Kolumbia dhe menaxhere projekti.
Ambasada e SHBA në Madrid nuk kishte asnjë koment mbi rastin në shkurt dhe përmendi kufizimet e privatësisë kur u pyet nga CNN.
Top Channel