Kundërshtuan ultimatumin për t’u shpërndarë/ Universiteti amerikan pezullon studentët protestues pro-palestinezë

30/04/2024 13:24

Universiteti Columbia, një prej qendrave kryesore të protestave pro-palestineze në kampuset e kolegjeve në Shtetet e Bashkuara, filloi të pezullojë studentët protestues të hënën pasi ata kundërshtuan ultimatumin për t’u shpërndarë.

Disa video të postuara në rrjetet sociale tregojnë se protestuesit gjatë natës bllokuan një ndërtesë kampusi dhe u barrikaduan brenda. Të tjerë formuan një kordon jashtë.

Columbia filloi pezullimin e studentëve pas gati dy javësh protesta kundër luftës së Izraelit në Gazë. Këto protesta kanë përfshirë institucionet e arsimit të lartë.

Autoritetet në universitetin prestigjioz në Nju Jork kërkuan që kampi i protestës të zbrazet deri në orën 14:00 ose studentët do të përballen me masa disiplinore.

“Këto taktika të neveritshme të frikësimit nuk do të thonë asgjë në krahasim me vdekjen e mbi 34.000 palestinezëve,” tha një deklaratë e lexuar nga një student në një konferencë për media.

Lufta nisi më 7 tetor pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës ushtarake izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 34.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi.

Studentët kërkojnë nga universiteti shkëputjen e lidhjeve financiare me Izraelin.

Zëvendëspresidenti Komunikimit, Ben Chang tha se universiteti “kishte filluar të pezullojë studentët si pjesë e fazës tjetër të përpjekjeve tona për të garantuar sigurinë në kampusin tonë”.

Ai tha se studentët ishin paralajmëruar se do të “vendosen në pezullim, të papërshtatshëm për të përfunduar semestrin ose të diplomohen dhe do të kufizohen nga të gjitha hapësirat akademike, rezidenciale dhe rekreative”.

Ndërkohë, në Universitetin e Teksasit në Austin, policia u përlesh me protestuesit të hënën, duke përfshirë përdorimin e sprejit dhe bëri arrestime gjatë zbrazjes të një kampi.

Paul Quinzi, nga Shoqata e Avokatëve të Austinit që ndihmon të arrestuarit, i tha AFP-së se ata vlerësuan “të paktën 80 arrestime dhe ata ende po vazhdojnë”.

Policia i shtyu dhe i dëboi protestuesit në Universitetin e Commonwealth të Virxhinias në Richmond, treguan pamjet e televizionit lokal.

Studentët thanë se policia përdori gaz lotsjellës dhe sprej për t’i shpërndarë ata.

Universiteti tha në një deklaratë në platformën X se u kishte ofruar në mënyrë të përsëritur mundësi protestuesve, “shumë prej të cilëve nuk ishin studentë…të largoheshin”.

Protestat kundër luftës në Gazë kanë paraqitur një sfidë për administratorët e universiteteve që përpiqen të balancojnë të drejtën e fjalës së lirë me ankesat se tubimet janë kthyer në antisemitizëm dhe urrejtje.

Bisedimet dështojnë

“Shumë nga studentët tanë hebrenj, si dhe studentë të tjerë, kanë gjetur atmosferë të patolerueshme javët e fundit”, tha presidentja e Universitetit të Columbias, Minouche Shafik, në një deklaratë të hënën, derisa njoftoi se bisedimet ishin ndërprerë.

“Shumë janë larguar nga kampusi dhe kjo është një tragjedi,” tha ajo derisa shtoi se “gjuha dhe veprimet antisemite janë të papranueshme”, shtoi ajo.

Organizatorët e protestës mohojnë akuzat për antisemitizëm, duke argumentuar se veprimet e tyre synojnë qeverinë e Izraelit dhe ndjekjen penale të konfliktit në Gazë.

Ata gjithashtu këmbëngulin se incidentet janë projektuar nga ata që nuk janë studentë.

“Të drejtat e një grupi për të shprehur pikëpamjet e tyre nuk mund të vijnë në kurriz të së drejtës së një grupi tjetër për të folur, për të mësuar dhe për të mësuar,” tha Shafik.

Pezullimet po vazhdojnë gjithashtu në Universitetin Cornell në Itaka, Nju Jork.

Gjatë ditëve të negociatave, studentëve iu ofruan mundësi të shumta për të lëvizur kampin ose do të përballeshin me sanksione.

“Ata refuzuan,” tha presidentja Martha Pollack.

“Prandaj, do të vijnë pezullime të tjera të përkohshme”, tha ajo./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA