Akuza për ekstremizëm/ Sërish gazetarë të arrestuar në Rusi, njëri prej tyre izraelit

28/04/2024 14:54

Rusia raportohet se ka arrestuar dy gazetarë që kanë punuar me media ndërkombëtare, nën akuzat për ekstremizëm.

Sergei Karelin, një shtetas rus dhe izraelit, u arrestua të premten, njoftoi Associated Press. Ai ka punuar më parë me agjencinë e lajmeve.

Ai akuzohet për “ekstremizëm” në lidhje me punën e supozuar për fondacionin e liderit të ndjerë të opozitës Alexei Navalny, gjë që ai i mohon.

Një ditë më parë, Konstantin Gabov u arrestua për akuza të ngjashme. Ai ka punuar me media përfshirë Reuters.

Të dy gazetarët përballen me një minimum prej dy vitesh burg nëse dënohen për “pjesëmarrje në një organizatë ekstremiste”. Ata janë gazetarët e fundit që përballen me akuza në mes të represionit të shtuar në Rusi, e cila e ka parë të kufizuar lirinë e shtypit.

“Associated Press është shumë i shqetësuar nga ndalimi i video gazetarit rus Sergey Karelin. Ne po kërkojmë informacion shtesë”, tha agjencia amerikane e shtypit në një deklaratë, sipas BBC.

Një gazetar i Forbes Rusia, Sergei Mingazov, u arrestua gjithashtu këtë javë. Ai akuzohet se ka kritikuar ushtrinë ruse. Në vitin 2022 Rusia miratoi një ligj që vendos një dënim deri në 15 vjet burg për përhapjen e lajmeve “të rreme” për ushtrinë.

Top Channel