Votuesit ne Maqedoninë e Veriut i janë drejtuar sot qendrave të votimit për zgjedhjen e presidentit të vendit. Dy prej shtatë kandidatëve në garë janë nga parti shqiptare.

Në garë janë kreu aktual i shtetit në kërkim të një mandate tjetër, Stevo Pendarovski, i propozuar nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane”, që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM). Opozita maqedonase, që udhëhiqet nga VMRO DPMNE-ja, në zgjedhje merr pjesë me Gordana Siljanovska Davkovën, e cila garoi edhe në zgjedhjet e vitit 2019.

Fronti Evropian, nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garon me ministrin aktual të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili e ka theksuar disa herë gjatë fushatës se qeveria e re në vend nuk do të mund të formohet qeveria e re, pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, pa një marrëveshje për votimin e ndryshimeve kushtetuese.Opozita e bashkuar shqiptare, që përbën koalicionin VLEN, merr pjesë në zgjedhje me Arben Taravarin, kryetarin aktual të komunës së Gostivarit. Pjesë e garës zgjedhore janë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i qarkut të Karposhit në Shkup, dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.

Sipas dispozitave ligjore, është pothuajse e pamundur që presidenti të zgjidhet që në raundin e parë pasi një kandidati duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore, apo gjysmën e votave të mbi 1.8 milion votuesve, çka duket e vështirë. Në balotazh kalojnë dy kandidatët që kanë siguruar më shumë vota ndërsa fitues zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave, me kushtin që në zgjedhje të dalin mbi 40 për qind e elektoratit.

Fushata elektorale zgjati 20 ditë dhe u shënjua nga akuza të shumta mes garuesve. Rezultatet e para pritet të publikohen pas mbylljes së kutive të votimit në orën 19.00. të dhënat e para publikohen nga shtabet elektorale të kandidatëve ndërsa KSHZ-ja i paraqet më e shumta deri në mesnatën e 24 prillit.

Top Channel