“Të pangjashmit”, libri i gazetarit Thoma Nika me portretet e 101 personave

23/04/2024 12:47

“Të pangjashmit”, libri në publicistikë i gazetarit të njohur të Sarandës, Thoma Nika, u prezantua për kolegë, shkrimtarë e miq të autorit në mjediset e Galerisë “Art Saranda”. 

Libri “Të pangjashmit”, përmbledh 101 profile dhe histori njerëzore, të zbuluara përgjatë punës si gazetar në të gjithë Jugun e Shqipërisë. Botimi sjell në vëmendje jetën e thjeshtë të njerëzve, të pangjashmen tek e përditshmja dhe e zakonshmja e secilit prej tyre.

“Një pjesë e tyre janë portrete të botuara në shtypin e shkruar me të cilin unë kam bashkëpunuar ndër vite, por më është dashur që ta prish herë pas here strukturën e librit sepse personazhe të tjerë të të përditshmes sonë bëjnë presion pozitiv ndaj ne gazetarëve për ti sjellë si modele në faqet e shtypit”, u shpreh Thoma Nika.

Paraqitjen kryesore për vlerat dhe veçoritë e librit të Thoma Nikës, e bëri Prof. Josif Papagjoni, studjues e kritik arti, i cili është edhe autor i parathënies së librit.

“Nuk ka qenë një gazetar i ftohtë por dikush që lëndën e marrë nga jeta, portretet sidomos që kanë qenë zeja e tij kryesore ka ditur ti qëndisë me detaje të veçantë bashkë me instiketet që njeriu i punës ka, që njeriu i mendjes ka për ta rindërtuar veten dhe për ta vendosur në dimensionin që thirrja e brendshme i dikton.”

Për veçantitë e publicistikës së z.Nika, e orientuar në vite nga portreti dhe reportazhi, folën edhe kolegë të tij gazetarë e botues. Ata theksuan eksperiencën e gjatë dhe të admirueshme të autorit  në fushën e gazetarisë, si dhe për dallimin e tij si mjeshtër i vendosjes së titujve.

“Çfarë ka bërë Thomai me këtë libër? Ka marrë 101 njerëz të zakonshëm dhe ka marrë prej tyre të pazakonshmen dhe me pasionin që ka i ka bërë të pangjashëm me njëri-tjetrin“, tha gazetari Ëngjëll Serjani.

“Që të nxjerrësh letërsi prej së përditshmes është zotësi e rrallë. “Të pangjashmit” e tij janë të ngjashëm për arsye të stilit që i ka pikturuar, për shkak të penelit që ju ka dhënë jetë”, u shpreh gazetari studiues, Thanas Dino.

Në këtë libër çdonjëri prej 101 profileve i ofrohet lexuesit me të pazakonshmen dhe të pangjashmen e jetës së tij. Janë portrete të njerëzve të padukshëm për publikun që njëherazi promovojnë një punë të gjatë dhe të vëmendshme të Thoma Nikës, punë që e tejkalon rolin informues të medias, një model që ofron edukimin dhe frymëzimin e audiencës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA