Kandidatura e Belerit për eurodeputet/ Opozita greke, kritika të forta Demokracisë së Re: Mitsotakis po bën aventura me çështjet kombëtare

23/04/2024 11:57

Dy partitë më të mëdha të opozitës kanë kritikuar Demokracinë e Re përsëri, sa i përket kandidadurës së Fredi Belerit.

Shkak sikurse theksojnë Syriza dhe PASOK janë bërë deklaratat dhe rrëfimi cinik i kandidates për eurodeputete të konservatorëve Evi Christofilopoulou (dikur deputete e PASOK), e cila në një emision televiziv ka pranuar se Fredi Beleri u përfshi në listën e kandidatëve për eurodeputetë të Demokracisë së Re për të ndaluar rrjedhjen e votuesve drejt ekstremit të djathtë.

Kandidatja konservatore për eurodeputete, duke folur në kanalin privat Open, tha se “kandidatura e Fredi Belerit është një kandidaturë e ND-së që integron anën e djathtë të saj. Demokracia e Re është një parti e madhe me shumë kahe. Aty bashkëjeton një pjesë konservatore me të djathtën popullore, është pjesa liberale, është edhe qendra progresive, së cilës i përkas. Në një parti pluraliste në një kohë kur ka një kërcënim nga e djathta ekstreme, një kandidaturë e tipit Beleri bën pikërisht atë që thashë”. Kur është pyetur nga prezantuesi i emisionit “pra ndalon rrjedhjen e votave drejt ekstremit të djathtë? ”, ajo është përgjigjur: “Po, pse është e keqe kjo?”.

“Pohimi i kandidates për eurodeputete të ND, Evi Christofilopoulou, se zoti Mitsotakis zgjodhi të vendosë Fredi Belerin në listën e partisë së tij për të ndaluar rrjedhjet drejt ekstremit të djathtë, konfirmon aventurizmin me të cilin lideri i saj vepron edhe në çështjet e ndjeshme kombëtare”, thekson partia opozitare SYRIZA me një deklaratë të saj.

“Siç pranoi edhe vetë ajo, kandidatura e Fredi Belerit synon të integrojë të djathtën ekstreme, të cilën ajo e kishte denoncuar disa minuta më parë si një forcë politike e ‘populizmit dhe toksicitetit’ që kërcënon unionin evropian në tërësi. Tashmë është e qartë se taktikat e Demokracisë së Re për zgjedhjet europiane nuk janë gjë tjetër veçse një përzierje e gjoja patriotizmit dhe gjoja progresivizmit, që ka për qëllim të vetëm vazhdimin e politikës antisociale që kryen si qeveri”, nënvizon opozita zyrtare.

Ndërsa nga ana e saj, socialistët e PASOK shprehen në deklaratën e tyre zyrtare: “Evi Christofilopoulou gjatë intervistës së saj televizive ‘dëshmoi’ atë për të cilën e denoncuam Mitsotakis nga momenti i parë, se qëllimet e kandidaturës së Belerit nuk janë as kombëtare dhe as europiane, por vetëm gjueti votash. Pranimi i kandidatit në fjalë për eurodeputet e ekspozon Mitsotakisin, i cili vendosi interesin partiak mbi atë kombëtar”.

Top Channel