Shtëpi muze për Avni Rustemin/ Në 100 vjetorin e vrasjes, përfundon restaurimi në Libohovë

22/04/2024 12:26

Në Libohovë 100 vjet pasi Avni Rustemi është ndarë nga jeta ka përfunduar restaurimi i shtëpisë së tij të lindjes e cila prej dekadash ishte në degradim dhe rrezikonte shembjen.

Objekti dy katësh i vendosur në lagjen e sipërme të Libohovës do të shërbejë si muze për jetën dhe veprimtarinë e një figure emblematike si Avni Rustemi por edhe si muze i kohës kur ai jetoi , shtypit, politikës, lëvizjeve shoqërore. Studiuesi Niko Kotherja që drejton Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Traditcionale dhe që ndjek nga afër procesin e muzealizimit tha se muzeu do të pasurohet me më shumë dokumenta dhe aredim autentik për të përkujtuar jetën e shkurtër në funksion të çështjes kombëtare të Avni Rustemit.

“Sot inagurojmë shtëpinë muze të Avni Rustemit e cila ka pasur një fazë të saj të rindërtimit duke pasur parasysh që shtëpia prej vitesh kishte qenë e braktisur dhe e rrënuar. Ky projekt për muzealizimin e kësaj godine do të përfundojë në shtator të vitit tjetër kur do të festojmë 130 vjetorin e lindjes së Avni Rustemit dhe që njëkohësisht do të jetë e gjithë shtëpia e arreduar dhe e pasuruar me dokumenta që flasin për jetën dhe aktivitetin e tij.”- u shpreh Niko Kotherja drejtuesi i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale.

Për të përkujtuar 100 vjetorin e vrasjes së Avni Rustemin dhe për të inaguruar çeljen e muzeut kishin mbërritur dhjetëra anëtarë të shoqatës “Avni Rustemi” nga i gjithë vendin. Bashkia e qytetit organizoi një ceremoni përkujtimore për Avni Rustemin në qendër të Libohovës pranë bustit të tij.

Avni Rustemi lindi në Libohovë në shtator të vitit 1895 dhe u vra në Tiranë nga kundërshtarët politikë më 22 Prill 1924. Ai njihet si drejtues i dy organizatave demokratike “Atdheu” dhe “Bashkimi” dhe si ekzekutori i Esat Pashë Toptanit në Paris në vitin 1920, ekzekutim për të cilin drejtësia franceze i dha pafajësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA