Kampioni nigerian thyen rekordin e maratonës së ndeshjeve të shahut (fotot)

20/04/2024 19:34

Aktivisti dhe kampioni nigerian i shahut Tunde Onakoya raportohet se ka thyer rekordin Guinness për maratonën e shahut duke kaluar 58 orë lojë pa ndaluar. Mbështetësit e tij i jepnin zemër në sheshin Times Square në New York City ku përballjet vazhdonin gjatë natës, shkruajnë mediat perëndimore.

Onakoya tha se me anë të ndërgjegjësimit kërkon të mbledhë 1 milionë dollarë për të dhënë mësime shahu dhe programe arsimi për fëmijë të paprivilegjuar në Nigeri.

“Jam shumë i emocionuar tani, por e di që kemi bërë diçka të jashtëzakonshme , domethënë është historike, se askush nuk ka luajtur shah kaq gjatë, sapo thyem rekordin”.

“Mbrëmë rreth orës 3 të natës isha gati të lija gjithçka e të shkoja në shtrat, por shumë nigerianë kanë ardhur këtu për të më mbështetur dhe qëndruan me mua gjithë natën, askush nuk shkoi në shtëpi”.

Dhe në fakt mbështetësit qëndronin pranë tij këndonin e kërcenin së bashku teksa kjo duket se ndikoi në motivimin e shahistit, shkruan rrjeti AFP.

“Mendoj se ai u motivua nga vizioni për të ndihmuar njerëzit më të varfër të shoqërisë”, tha Lot Egopija, i shoqatës së nigerianëve në New York.

Mbështetësja Kemi Adesunloro, vlerësonte arritjen e Onakoya duke thënë se aktivisti i të drejtave kishte tre ditë që stërvitej.

“Sot ishte dita e tretë Tunde Onakoya tentonte të thyente rekordin botëror dhe ia arriti duke luajtur më shumë se 58 orë”.

Rekordet Guinness ende nuk kanë konfirmuar arritjen e Onakoya dhe kjo shpesh kërkon disa javë, por për shumë nigerianë 29 vjeçari është tashmë një hero.

FOTO GALERI
1/7
Aktivisti dhe kampioni nigerian i shahut Tunde Onakoya raportohet se ka thyer rekordin Guinness për maratonën e shahut duke kaluar 58 orë lojë pa ndaluar

Top Channel