“Gjenerali legjendar që bëri epokë!” Përkujtohet sot në 105-vjetorin e lindjes, heroi i popullit dhe nderi i kombit, Rrahman Parllaku

20/04/2024 19:01

Gjeneral Rrahman Parllaku, heroi i popullit dhe nderi i kombit u nderua sot në një ceremoni përkujtimore në 105 vjetorin e lindjes.

Edhe pas 5 viteve të ndarjes së tij nga jeta, Akademia e Shkencave  ishte mbushur me dashamirës, kolegë, e të afërm duke lartësuar figurën e gjeneralit të konsideruar të pavdekshëm, duke i kushtuar edhe një dokumentar historik mbi heroizmin e tij.

“Sot e përkujtojmë atë si sfidantin e tri kohërave, gjeneralin legjendar që bëri epokë. Ai doli fitimtar nga lufta antifashiste nacional-çlirimtare, doli gjallë nga burgu komunist, doli fitimtar në betejën për pavarësinë  e Kosovës dhe para 5 vitesh ishte gjenerali më i vjetër, por me mendjen e re që mbështeste anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe të ushtrisë shqiptare. Me gjeneral Parllakun ndihemi krenar të gjithë”, u shpreh publicisti Halil Rama.

“Unë kam pasur fatin ta takoj disa herë dhe fjalët e tij janë të spikatura. Gjithçka ishte e lidhur me trekëndëshin që karakterizon çdo ushtarak: Detyra, nderi, atdheu. Ajo që duhet të bëjmë ne është që të mbajmë gjallë figura të kombit tonë, burrështetas të tillë që rrallëherë lindin”, tha në fjalën e saj Major Manushaqe Shehu, zv.shef i shtabit të përgjithshëm FA.

Top Channel