Autizmi flet, jep dhe kërkon dashuri! Në Durrës jepet koncerti me talente të ndryshëm të fëmijëve të spektrit autik

19/04/2024 15:43

Autizmi flet. Jep dhe kërkon dashuri. Me këto mesazhe u zhvillua koncerti që ngjiti në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit talentet e ndryshme të fëmijëve të spektrit autik që ndjekin rrugën e artit.

“U ndjeva shumë e lumtur dhe e relaksuar. Unë dua të bëhem një këngëtare në të ardhmen”, tha Emili Capi.

“Unë quhem Alesia Aliaj, 15 vjecc dhe vij nga Elbasani. Studioj në shkollën Onufri. Pasioni im është violina”, tha Alesia Aliaj.

“Më pëlqen shumë arti. Pasioni që kam është piktura dhe skulptura. Kam nisur që 5 vjeç, para se të filloja shkollën artistike. Tani jam në shkollë që të përforcoj më shumë talentin”, u shpreh Elkit Frroku.

Prindër, mësues dhe artdashës vlerësuan talentin e artistëve dhe nismën e artistes Keti Bashhysa për të sjellë në vëmendjen nevojën që kanë fëmijët autikë dhe familjet e tyre për përkrahje dhe mbështetje të vazhdueshme.

“Mrekulli dhe i falenderojmë shumë, po fëmijët tanë duan akoma më shumë. Të përfshihen, të socializohen se për këta do të ishte progres shumë i madh”, tha një nga prindërit.

“Ishte një kënaqësi të merrja pjesë në një koncert kaq të bukur sensibilizues me fëmijë me zemër mjaft të pastër. Disave prej tyre ne i japim mësim dhe na japin kënaqësi në çdo orë mësimore. Janë shumë të ndjeshëm e të këndshëm. Janë fëmijë artistë”, tha një mësuese.

I titulluar “Unë të dua, po ti?”, koncerti u kthye në një përvojë të bukur për artistët pjesëmarrës që u ndjenë të vlerësuar dhe të dashur nga publiku për talentet dhe aftësitë unike që kanë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA