SHBA, agjencitë e zbulimit paralajmërojnë zyrtarët zgjedhorë të përgatiten për sulme lidhur me garën presidenciale

18/04/2024 18:23

Agjencitë amerikane të zbulimit dhe sigurisë po përpiqen të përgatisin zyrtarët zgjedhorë për një valë të re sulmesh që synojnë të shkatërrojnë besimin e votuesve në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, në një kohë që një sërë raportesh paralajmërojmë se disa kundërshtarë të njohur kanë filluar të shtojnë përpjekjet e tyre.

Agjencia amerikane për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës, CISA, së bashku me Zyrën e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar (ODNI) dhe Byronë Federale të Hetimit, FBI lëshuan një paralajmërim të ri të mërkurën se “të dyshuarit e zakonshëm”, Rusia, Kina dhe Irani, po përpiqen të gjejnë mënyra për të nxitur tensione dhe për të përçarë votuesit amerikanë.

Të tri këto vende, thuhet në udhëzim, po “shfrytëzojnë operacionet ndikuese duke keqpërdorur perceptimet për ndarjet social-politike me qëllim minimin e besimit në institucionet demokratike të Shteteve të Bashkuara”.

Në udhëzimin e ri paralajmërohet se tre vendet po përdorin llogari të rreme në mediat sociale dhe burime të tjera, përfshirë organizata mediatike të financuara nga shteti, për përhapjen e dezinformimit dhe nxitjen e dyshimeve.

Po ashtu, theksohet se Rusia, Kina dhe Irani, po përdorin individë realë, përfshirë persona me ndikim në rrjetet sociale, “që me, apo pa dashje, të përhapin dezinformim”.

“Zgjedhjet janë tregues i artë i demokracisë amerikane dhe për këtë shkak kundërshtarët e huaj qëllimisht vënë si objektiv infrastrukturën tonë zgjedhore me operacionet e tyre të ndikimit”, tha në një deklaratë për gazetarët këshilltari Cait Conley, nga Agjencia amerikane për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës, CISA. “Agjencia është e angazhuar që të bëjë pjesën që i takon për të siguruar zyrtarët shtetërorë dhe lokalë si dhe opinionin publik amerikan se nuk do të jenë vetëm në këtë betejë”.

Agjencitë paralajmërojnë taktika të reja

Në udhëzimin e ri të publikuar në faqen e internetit të Agjencisë amerikane për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës, paralajmërohet se përveç përdorimit të taktikave të njohura, Rusia, Kina dhe Irani ka të ngjarë të përdorin taktika reja për të dëmtuar gjykimin e votuesve amerikanë dhe për të gërryer besimin e tyre tek procesi zgjedhor.

Një prej këtyre taktikave është riprodhimi në mënyrë artificiale i zërit, përdorimi i një regjistrimi zanor të rremë të një zyrtari, ose figure publike, me qëllim nxitjen e paqartësive dhe dyshimeve. Agjencitë cituan një shembull nga zgjedhjet e vitit të shkuar në Republikën Sllovake, kur përmes një regjistrimit të rremë zanor të udhëheqësit të një prej partive kryesore tentohej të krijohej ideja se ai po diskutonte se si mund të bëhej manipulimi i zgjedhjeve.

Në udhëzim paralajmërohej gjithashtu se Irani mund të përpiqet të kryejë sulme kibernetike me qëllim vjedhjen dhe shpërndarjen e të dhënave kritike për Shtetet e Bashkuara, duke përdorur njohuritë e fituara nga operacione të ngjashme të kryera ndaj Izraelit përgjatë muajve të fundit.

Po ashtu, në udhëzim theksohet se Rusia dhe Kina, ndarazi, janë përpjekur të nxisin shqetësim të madh tek votuesit duke përhapur dokumente të rreme të cilat pretendohet se përmbajnë prova mbi incidente sigurie që prekin ndërtesa ose sisteme kompjuterike.

Kina i ka mohuar këtë pretendime.

“Kina ka respektuar përherë parimin për të mos ndërhyrë në çështjet e brendshme të vendeve të tjera”, tha zëdhënësi i ambasadës së Kinës në Uashington, Liu Pengyu, në një përgjigje me e-mail për Zërin e Amerikës.

“Spekulimet, ose akuzat ndaj Kinës se po përdor median sociale për të ndërhyrë në politikën e Shteteve të Bashkuara janë të pabaza dhe dashakeqëse”, shtoi ai.

Zëri i Amerikës kontaktoi përfaqësues të qeverive të Rusisë dhe Iranit, të cilët nuk janë përgjigjur.

Tani për tani, Agjencia amerikane për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës, Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar dhe Byroja Federale e Hetimit po këshillojnë zyrtarët zgjedhorë në Shtetet e Bashkuara se ata mund të përpiqen të zbusin ndikimin e ndërhyrjes në zgjedhje duke krijuar burime të besueshme informimi, si për shembull faqe interneti të institucioneve qeveritare amerikane dhe duke ekspozuar informacionet e rreme.

Megjithate, gjasat janë që sfidat të shtohen.

Microsoft thotë se Rusia ka filluar të ndërhyjë në zgjedhje

Gjigandi i teknologjisë Microsoft përalajmëroi të mërkurën se ka vënë re sinjale se të paktën Rusia, ka filluar tashmë të shtojë përpjekjet për ndërhyrje në zgjedhje.

“Aktorë e zakonshëm rusë që kanë ndikim në zgjedhje kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre në 45 ditët e fundit”, sipas një raporti të Qendrës për Analizimin e Kërcënimeve në kompaninë Microsoft.

Sipas raportit, përpjekjet ruse “përfshinë përdorim të çështjeve nga 2020, por tani me një objektiv të ri, atë për të minuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën”.

Microsoft paralajmëroi më tej se Rusia, Kina dhe Irani kanë “keqpëdorur inteligjencën artificiale për të krijuar përmbajtje që prej verës së kaluar”.

Në të njëjtën kohë, ka shqetësim edhe mbi ndikimin në zgjedhjet presidenciale të ekstremizmit të brendshëm.

“Ekziston rreziku serioz i dhunës ekstremiste,” shkroi Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë në një raport të publikuar të mërkurën.

“Ndërsa rreziku për dhunë nga ekstremi i djathtë lidhur me zgjedhjet është më i madh, mundësia për dhunë nga ekstremistët e majtë nuk duhet shpërfillur”, thuhej në raport, ku vihej në dukje mundësia për sulme në ngjarjet dhe tubimet politike parazgjedhore, në qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve, dhe kundër zyrtarëve zgjedhorë pas votimeve.

Paralajmërime të tilla janë në përputhje me atë të lëshuara nga zyrtarët amerikanë gjatë muajve të fundit.

“Disa ekstremistë të dhunshëm të brendshëm, veçanërisht ata të nxitur nga teoritë konspirative dhe kritikët ndaj qeverisë mund të kërkojnë të prishin procesin zgjedhor”, paralajmëroi shtatorin e kaluar Departamenti i Shteteve të Bashkuara për Sigurinë.

“Pre e dhunës dhe kërcënimeve mund të jenë zyrtarët qeveritarë, votuesit dhe personeli i lidhur me zgjedhjet dhe infrastrukturën zgjedhore, duke përshirë vendvotimet, qendrat e grumbullimit të kutive zgjedhore, qendrat e regjistrimit të votuesve, tubimet zgjedhore, selitë e partive politike dhe qendrat e numërimit të votave”, thuhej në raport./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA