“Për të dytën herë, Beleri nuk mund të betohet edhe nëse zgjidhet eurodeputet”, ish-prokurori: Ja kriteri që ia pamundëson

18/04/2024 18:09
Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari në "Top Talk"

Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari i ftuar në emisionin “Top Talk” me gazetaren Juli Xhokaxhi në Top Channel mes të tjerash, foli edhe për kandidimin e Fredi Belerit për eurodeputet të Greqisë në Parlamentin Europian.

Sipas Hajdarit, pasi të publikohet CV-ja e Belerit vetë shoqëria greke do të reagojë kundër kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis i cili e përfshiu atë në listën e kandidatëve për eurodeputetë.

“Ai është i detyruar të bëjë publike edhe CV-në e personit kandidat, kam përshtypjen se qytetarët dhe forcat e tjera brenda kësaj partie do shikojnë se kemi të bjmë me një njeri që nuk i bën nder Greqisë sepse nuk është as me gradë doctor, me cënime të forta të integritetit të figurës së tij në Greqi dhe Shqipëri”– tha Hajdari.

Ndër të tjera, ish-prokurori tha se edhe nëse Beleri do të arrijë të zgjidhet eurodeputet, nuk do mund ta ushtrojë si funksion pasi nuk lejohet që një person i dënuar në një prej vendeve anëtare të BE-së, të jetë eurodeputet. Thënë kjo, kujtojmë se në vitin 1999, Beleri rezulton i dënuar në Greqi me 1 vit e gjysmë burg për armëmbajtje pa leje.

“Nëse do ta zgjedhin, këtu në Shqipëri do zhvillohet procesi i apelit të dënimit të Belerit, nëse ky do të qëndrojë në burg, do t’i ndodhë që edhe nëse zgjidhet, nuk do mund të bëjë dot betimin. Do hyjë në Guinnes, një njeri që zgjidhet dy herë nuk do bëjë dot betimin, as për në Himarë as për në Parlamentin Europian. Sepse një nga kushtet dhe kriteret është q nuk mund të jesh deputet në PE nëse je delaruar fajtor për një vepër penale që mund të kesh kryer në një prej vendeve anëtare”– nënvizoi ish-prokurori.

Top Channel