Tentoi të fuste në Shqipëri 24 mijë euro pa i deklaruar në Morinë, nën hetim 45-vjeçari. Policia sekuestron paratë

16/04/2024 12:02

Një 45-vjeçar nga Kosova është nën hetim, pasi policia i gjeti 24 mijë euro të padeklaruara, të cilat donte t’i fuste pa leje.

Në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë, në bashkëpunim me autoritetet doganore, me objektiv parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në hyrje të RSh-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin I. Z.

Nga kontrolli fizik, këtij atij iu gjetën rreth 24 900 euro që po tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar I. Z., 45 vjeç, banues në Lipjan, Kosovë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e parave.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel