“Nuk e di a është gjallë”, humb 3-vjeçari në Durrës, nëna denoncon gjyshërit: Nuk kam marrëdhënie të mirë pas vdekjes së burrit

16/04/2024 13:00

Një fëmijë 3-vjeçar ka humbur në Durrës prej ditësh, pasi është marrë nga gjyshërit në takimin e përjavshëm të shtunën.

Nëna ka bërë apel mes lotësh që vjehërrit t’ia kthejnë djalin, pasi sipas saj e kanë ata.

Pas denoncimit të gruas, Policia ka shoqëruar gjyshin e fëmijës Rexhep Gjuni, ndërsa janë në kërkim të gjyshes.

Ille Gjuni 22 vjeçe e ka fëmijë të vetëm, djalin 3 vjeç. Ajo thotë se pas vdekjes së të shoqit në aksident  e dërgonte djalin te gjyshërit, por pas vizitës të gjyshërit nuk e kthyen më te e ëma.

Në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni për vendndodhjen e fëmijës është shoqëruar dhe një tjetër person.  Rexhep Gjuni, 58 vjeç, nuk ka deklaruar ende se ku ndodhet fëmija, babai i të cilit humbi jetën një vit më parë në një aksident automobilistik.

Burime nga policia thonë se prej 3 ditësh vijojnë kërkimet për të gjetur djalin 3 vjeçar. Kontrollet janë shtrirë dhe në Kukës, po pa rezultat.

Familja është banuese në zonën e ish-Kënetës ku jeton prej vitesh pas ardhjes nga Kukësi.

“Nuk tregon se ku është fëmija, thotë që nuk e di gënjen, familja është nga Kukësi, unë jam nga Dibra, ata janë në Durrës, dua të më sjellin djalin, nuk e di a është gjallë, a është jashtë shtetit, qëkur ka vdek burri marrëdhëniet nuk janë mirë, jetoj tek babi në kënetë në Durrës, i kemi afër, nuk janë tek shtëpia, thonë që nuk janë aty. Prej katër ditësh nuk është”, tha 22-vjeçarja

Top Channel