Komedia e autorëve grekë në shqip, “Natën e mirë me burrin tim” shfaqet në Gjirokastër

16/04/2024 16:28

“Natën e mirë me burrin tim” komedia e autorëve grekë Kabani dhe Makridhi e vënë në skenë prej regjisorit Jorgaq Tushe nga teatri “Petro Marko” i Vlorës ka udhëtuar drejt Gjirokastrës për të sjellë dy shfaqje gjithë humor, personazhe dinamikë dhe subjekt bashkëkohor.

Komedia sjell në vëmendje divorcin si një plagë shoqërore e cila po prek themelet e shoqërisë. Subjekti sillet me finesë dhe humor, situata argëtuese dhe batuta me ngjyrime lokale.

Përkthimi i komedisë nga një gjuhë tjetër nuk e ka penguar regjisorin që ti veshë asaj karakterin lokal shqiptar. Ai tregon se trajtimi i një teme kaq delikate merr vlerë edukative pasi përtej tradhëtisë fenomeni ka marrë përmasa shqetësuese edhe për shkak të problemeve ekonomike, problemit të pronave dhe drejtësisë.

“Kjo komedi është një komedi e veçantë për mua sepse trajton një temë shumë interesante, divorcin. Kohët e fundit në Shqipëri janë shtuar shumë divorcet dhe kjo është shqetësuese për shoqërinë.

Unë duke parë këtë fenomen zgjodha pikërisht këtë komedi sepse nuk është vetëm tradhtia bashkëshortore që të çon në divorc, janë edhe probleme të tjera ekonomike, emigracioni. Çdo gjë mund të zgjidhet me dashuri. Nëse ekziston dashuria, mirësia e mirëkuptimi zgjidhen këto probleme dhe nuk është vetëm divorci zgjidhja.”

Komedia përtej problemeve sugjeron se divorci nuk është zgjidhja dhe përcjell mesazhin e një familjeje të bashkuar dhe të fortë.

Aktorët Eliona Thomaraj, Artan Islami dhe Alba Shtëmbari sollën disa nga karakteret shumë të spikatura të komedisë.

“Na ka surprizuar shumë publiku i Gjirokastrës dhe jemi ndjerë të mrekulluar dhe pak specialë”.

“Pritja e publikut ka qenë një magji më vete, një publik i ngrohtë dhe fantastik. Është një eksperiencë shumë e mirë në Gjirokastër. Shfaqja kaloi shumë mirë dhe pati impaktin e saj”.

Shfaqja u vlerësua gjithashtu për kostumet dhe formulimin muzikor të veçantë, si dhe praninë e aktorëve të rinj. Komedia pritet të vijojë udhëtimin drejt skenave të tjera këtë sezon si dhe ka garantuar pjesëmarrjen në disa festivale.

Top Channel