Dyshohet se u vetëvar brenda qendrës së imigracionit në Britani, familjarët e shqiptarit kërkojnë hetime: Vdekja e tij, e pakuptimtë! Prisnim të bashkoheshim

16/04/2024 17:04
I ndjeri, Alfred Dosku

Familja e emigrantit shqiptar që dyshohet se vrau veten vitin e kaluar në Britaninë e Madhe, kërkon përgjigjie mbi rrethanat e vdekjes të 37 vjeçarit Alfred Dosku.

Ky i fundit humbi jetën në nëntor të vitit të kaluar pasi u gjet I vetëvarur në një dhomë të qendrës për emigrantë ndërkohë që pritej deportimi i tij drejt Shqipërisë.

Mediat angleze shkruajnë se kushërira e të ndjerit, Ledisa Hysa Dosku, tha: “Duam vetëm të dimë se çfarë ka ndodhur”.

Ledisa shprehet se kushëriri i saj ishte “shumë i zgjuar”, duke shtuar se familja nuk e kuptonte se si ai përfundoi në qendrën e imigracionit.

“Bisedën e fundit e pati me vëllanë, ishte gati të kthehej. Ishte gati të bashkohej me familjen. Vdekja e tij është plotësisht e pakuptueshme”– tha ajo ndër të tjera.

Ndërkohë, një hetim për rastin po mbahet në Mbretërinë e Bashkuar dhe pritet të ketë një rezultat konkret brenda dhjetorit të këtij viti.

Top Channel