Degjeneron në dhunë kampionati i moshave U-21, plas grushti mes lojtarëve të Erzenit dhe Partizanit, dy futbollistë në spital

16/04/2024 17:57
Foto nga përplasja në ndeshjen Erzeni U-21-Partizani U-21

Ka degjeneruar në dhunë fizike mes lojtarëve ndeshja e kampionatit të moshave U-21 mes Erzenit dhe Partizanit teksa luhej në stadiumin “Tofik Jashari” në Shijak.

Në përfundim të ndeshjes që përfundoi me rezultatin 2-2, lojtarët e dy skuadrave kanë nisur të përplasen verbalisht mes tyre dhe më pas janë goditur mes tyre dhe me sende të forta.

Dy prej tyre kanë përfunduar në urgjencën e spitalit të Durrësit ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve, ndërsa të tjerë janë thirrur në polici për të dhënë dëshmitë e tyre mbi ngjarjen. Futbollistët e këtyre ekipeve i përkasin moshave 17-21 vjeç.

“Rreth orës 14:00, në fushën sportive “Tofik Jashari”, është zhvilluar ndeshja e futbollit ndërmjet ekipeve të kategorisë U-21, Erzeni-Partizani. Organizatorët e ndeshjes nuk kanë njoftuar Policinë për këtë aktivitet. Në përfundim të ndeshjes, janë konfliktuar fizikisht lojtarët e 2 ekipeve. Si pasojë, janë dëmtuar 2 lojtarë të ekipit Partizani, të cilët janë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.

Kujtojmë se një sherr i ngjashëm mes skuadrave të moshave të reja, ndodhi edhe mes skuadrave të Vallaznisë dhe Partizanit në mars të këtij viti.

Top Channel