Mosbesimi te sindikata e arsimit/ Mësues të pakënaqur: Drejtuesit veprojnë si politikanët

14/04/2024 20:11

Perceptimi i shqiptarëve për sindikalizmin është mosbesues. Por zërat janë shtuar edhe nga strukturat e brendshme të organizatave sindikale. Alma Lama, mësuesja e kimisë në një shkollë 9-vjeçare është larguar nga sindikata e pavarur e arsimit e pakënaqur me veprimtarinë e tyre.

 “Kërkuan lëvizje për pagat, për kushtet e SMIP, për shpërblimin e fundvitit . Iniciativat e Tiranës kanë qenë të vazhdueshme për lëvizje sindikale, por ato mbyteshin. Sindikatat u kthyen në kuotëmbledhëse. Ndër vite nuk janë aktivizuar për të bërë sindikalizëm dhe për të sjell ndryshimet që presin mësuesit. Atëherë për çfarë na duhen kontratat e krerët e sindikatave?”

Fryma brenda sindikatës, Almës i ngjason njëjtë si në politikë. Sipas saj, ndryshimet statutore që u kryen së fundmi në shërbim të kryetarit, ishin arsyeja e vendimit për t’u shkëputur nga SPASH dhe për të krijuar një sindikatë të re të bashkuar për arsimin, me sistemin parauniversitar dhe të lartë.

 “Si në politikë edhe në organizatat sindikale vërehen të njëjtat probleme. Krerët e organizatës kapin strukturët. Psh një nga ndryshimet statutore që u miratua së fundmi te një sindikatë ishte që presidenti mund të mungojë pa arsye nga 6 muaj në 9 muaj”.

Por çfarë synon të sjell ndryshe sindikata e re për arsimin?

 “Për herë të parë në një sindikatë në Shqipëri vijmë  me kufizimin e mandatit të kryetarit, që do të thotë asnjë president nuk mund të jetë më shumë se dy mandate, se kjo është një nga gangrenat e sindikalizmit në Shqipëri”.

Alma Lama tregon se nisma me 700 firmëtarë, e regjistruar në gjykatë në shkurt të këtij viti, do të nis lëvizjen sindikale me protestën e arsimtarëve në ditën e punëtorëve.

Top Channel