VIDEO/ Nuk duan të marrin pjesë në luftë, dru dhe shkelma për ukrainasit e rinj që tentojnë të largohen përmes kufirit

12/04/2024 09:41

Një lloj tjetër lufte po zhvillohet në kufirin perëndimor të Ukrainës , pasi shumë të rinj nuk duan të shkojnë në fushën e betejës dhe po përpiqen të ikin jashtë vendit.

Videot tregojnë se autoritetet ushtrojnë dhunë mbi të rinjtë e kapur pranë kufirit me Rumaninë, duke u përpjekur të arratiseshin.

“Unë nuk jam i pafe. Shumë nga miqtë e mi tashmë janë larguar. Kushdo që ka mundësi, largohet,”  tha për Sky News një i ri ukrainas që vendosi të shkonte jashtë shtetit për të shmangur rekrutim. Ai e kaloi kufirin përmes maleve, pasi kishte paguar 6000 dollarë si çmim për të dalë nga vendi. “Kam nevojë për paqe”,  thotë ai.

“Këta njerëz nuk janë gati të vdesin. Dhe të rinjtë nuk janë gati të varrosen të gjallë. Shumë vijnë tek ne për ndihmë”, tha një nga trafikantët që pranon se nuk i vjen aspak turp për veprimin e tij.

Tani për tani, autoritetet po përpiqen të ndalojnë largimin e të rinjve nga Ukraina. Ushtria ka nevojë për rekrutë.  Çdo javë, autoritetet arrestojnë të rinj që tentojnë të arratisen.

Në dhjetor, Ukraina kishte nevojë për më shumë se gjysmë milioni ushtarë të rinj, një çështje që presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky, e kishte përshkruar si shumë të ndjeshme.

Dy vjet pas fillimit të luftës, në fushëbetejë janë kryesisht burra të moshës së mesme që kanë pësuar lëndime dhe janë në prag të rraskapitjes. Numri i regjistrimeve po zvogëlohet dhe ushtria duket e paaftë për të përballuar kërkesat e luftës me Rusinë.

Projektligji i ri i miratuar dje (11.4.2024) ul moshën e të thirrurve për t’u paraqitur në ushtri nga 27 në 25. Synimi i ligjvënësve është të gjejnë një zgjidhje për problemin e mungesës së vullnetarëve. Por shumë besojnë se Ukraina do të duhet të gjejë mënyra të tjera për të rekrutuar, pasi në muajt në vijim dhe pas miratimit të projektligjit pritet të rritet numri i të rinjve që do të largohen jashtë vendit.

 

Top Channel