Policia në Buenos Aires përleshet, arreston protestuesit kundër qeverisë së presidentit Milei (fotot)

10/04/2024 18:41

Policia me veshje të rënda në Argjentinë përdori sot ujë me presion dhe bëri arrestime të shumta teksa shpërndante protestën e mijëra njerëzve kundër reformave ekonomike të qeverisë së re.

Buenos Aires ishte thuajse i paralizuar nga demonstruesit kundër reformave të shtrëngimit ekonomik të presidentit Javier Milei, teksa përplasje të ashpra ndodhën mes oficerëve dhe protestuesve që brohorisnin e qëllonin me gurë.

Ashtu si në protesta të tjera tre muajt e fundit para Kongresit, demonstruesit kanë kundërshtuar nismat ekonomike të kursimit që kanë dëmtuar e varfëruar familjet argjentinase.

Forcat e policisë së militarizuar përdorën një protokoll të ashpërsuar të kufizimit të demonstratave në rrugë, i krijuar nga Milei dhe ministrja e tij e sigurisë Patricia Bullrich.

Milei kërkon të “modernizojë ligjet e punës për të lehtësuar krijimin e vendeve të punës”, si dhe do të ndryshojë praktikat në favor të punëdhënësve në fusha si turizmi, farmaceutika, interneti, prodhimi i verës dhe tregtia.

Por politikat e tij nxorren mijëra njerëz në rrugët para Kongresit të Argjentinës teksa protestuesit trokisnin lugë e tenxhere dhe valëvisnin flamurin kombëtar.

“Jam këtu sepse ky dekret më tmerron. Ligjet e reja të tregut të punës dhe të qirave vështirësojnë akoma më shumë jetesën në një kohë kur të rinjtë nuk gjejnë dot punësim”, tha për rrjetin AFP mësuesi Nicolas Waiselbaum.

Milei ka njoftuar gjithashtu se po ndalon projektet publike të ndërtimit dhe reklamat shtetërore, teksa masat e tij janë vlerësuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili i ka dhënë Argjentinës se fundmi një hua 44 miliardë dollarë./AFP/

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA