Arrest drejtorit të IT që “vodhi” në TIMS, SPAK bëri ekspertizën me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës

10/04/2024 15:16

Sistemi TIMS nuk ka nevojë për backup dhe as për kopjim të dhënash, mbasi vet rregullohet pa ndërhyrje mekanike nga jashtë.

Kjo përgjigje e laboratorit të SPAK dërguar prokurores Anisa Qilimi, i ka vënë pikat mbi i për pozicionin dhe veprimet e dyshimta të Ervin Muçës, drejtor i teknologjisë dhe informacionit në policinë e shtetit ndaj të cilit gjykata me kërkesë të prokurorisë shpalli masë sigurie arrest shtëpi dhe pezullim nga detyra.

Një burim i sigurt tha për Top Channel se prokuroria e Tiranës kërkoi asistencën e SPAK duke shmangur policinë shkencore në Tiranë, jo vetëm për shkak të laboratorit të sofistikuar që ka Prokuroria e Posaçme por edhe për evituar dyshimet për  dekonspirimin të hetimeve. Një hard disk i sekuestruar, serverat dhe një kompjuter që i përket një nëpunëseje të identifikuar janë këqyrur e së bashku me to edhe pamjet filmike që tregojnë çfarë ndodhi tetë muaj më parë.

Bëhet me dije se Muça u asistua nga një punonjës i AKSH , ndërkohë që përdori kredencialet e vartësit të tij  për ndërhyrjen e paligjshme që solli kopjimin e TIMS.

I pyetur nga prokuroria e Tiranës, i dyshuari këmbëngul se sapo kishte marrë detyrën dhe e kreu backup për të garantuar sistemin, një version qe hidhet poshtë shkencërisht nga këqyrjet dhe aktekspertizat dhe për këtë arsye ish-zyrtari u vendos nën hetim për ndërhyrje të paautorizuar në sistem.

Hetimet provojnë se ndërhyrja ndodhi mesnatën e dy gushtit 2023. Në 17 gusht i ngarkuari me punë i SHBA mbajti takim me ministrin e Brendshëm duke inkurajuar një hetim të shpejtë shprehu shqetësimin e amerikanëve.

Sistemi TIMS grumbullon dhe ruan të dhënat e shtetasve jo vetëm mbi hyrje daljet në kufi, por edhe fotografitë e tyre dhe të dhënat personale si mëmësia, atësia, vitlindja por dhe nëse ka patur jo rekorde në të kaluarën

Menjëherë mbas masës kufizuese për ish-zyrtarin, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes reaguan duke e larguar nga detyra, ndërkohë qw aktualisht për rrjedhjen e të dhënave nga TIMS-i dhe administrimin e tyre ka hapur siparin në fillim të prillit  një komision hetimor. Sipas ligjit verifikimi i masës duhet të ndodhe brenda tre ditëve para gjyqtarit Edvan Velçani.

Top Channel