Korçës i kthehet orkestra simfonike, koncert me rastin e 100 vjetorit të krijimit

07/04/2024 20:12

Korçës i është rikthyer orkestra simfonike pas një shekulli. Nën drejtimin e dirigjentit  Ilir Erzeni mbrëmjen e së shtunës në qendër të qytetit artdashësit korçarë shijuan një koncert nga Orkestra Simfonike duke shënuar një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore për Korçën. 

Më 6 prill 1924 orkestra e krijuar pas përpjekjeve të kompozitorit dhe dirigjentit Thoma Nasi jep koncertin e parë në kopshtoren e Mitropolisë siç gjendet e shkruar në dokumentet e kohës.  Kjo ngjarje artistike ishte unike për vendin pasi shënoi krijimin e orkestrës së parë simfonike shqiptare.  Një shekull më vonë Korçës i rikthehet orkestra simfonike koncerti i së cilës u lidh edhe me inagurimin e Qendrës se Kulturës dhe Inovacionit, ndërsa për artistët rikthimi i tingujve të kultivuar të muzikës klasike në Korçë përmes një formacioni të tillë është emocionues.

Qendra e Kulturës dhe Inovacionit është hapësira e parë e këtij lloji në vend që promovon artin, kulturën dhe ofron hapësira multifunksionale.

Top Channel