Frika e një materializimi të kërcënimit Iranian për shpagim ndaj sulmit ajror izraelit ndaj ambasadës së republikës Islamike në Siri ka nxitur Shtetet e Bashkuara të vendosen në gjendje gatishmërie të lartë.
Një zyrtar amerikan pohoi për CNN se SHBA-ja është në gjendje vigjilence për goditje të interesave izraelite apo amerikane në rajon. Sulmi nga sa pohoi ai, mund të ndodhë javën që vjen. Teherani nuk ka dyshim se ishin avionët izraelitë ata që sulmuan ambasadën e tij në Damask të hënën, duke shënuar kështu një përshkallëzim të rëndësishëm të konfliktit.
Presidenti amerikan Joe Biden e diskutoi këtë çështje në telefon me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. “Ekipet tona mbajnë kontakte të rregullta dhe të vazhdueshme që nga ai moment. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht mbrojtjen e Izraelit nga rreziqet nga Irani”, thanë burime të administratës amerikane.
Të premten, komandanti i Gardës së fuqishme Revolucionare të Iranit paralajmëroi të premten se “burrat tanë guximtarë do ta ndëshkojnë regjimin zionist”, duke ashpëruar kështu kërcënimet ndaj Izraelit pas sulmit ajror që vrau më herët këtë javë shtatë zyrtarë të lartë të gardës, ndër ta edhe dy gjeneralë. Sulmi, për autorësinë e të cilit mendohet gjerësisht se ka përgjegjësi Izraeli, shkatërroi një seksion konsullor të ambasadës iraniane në Siri.
Shënjestrimi i kompleksit diplomatik iranian ishte një përshkallëzim domethënës i asaj që ka qenë një luftë e gjatë në prapaskenë mes dy vendeve armike dhe Izraeli thotë se është përgatitur për një kundërpërgjigje.
Top Channel