‘Kenioni i kokainës’ në Kolumbi, objekt i tensioneve të vjetra mes rebelëve e qeverisë (fotot)

03/04/2024 19:10

Plantacionet e kokas veshin të gjithë zonën malore të kenionit Micay në pyjet e Kolumbisë qendrore, ku guerrilasit e majtë raportohet se kanë një komunitet apo mini-shtetin e tyre.

Në laboratorët e improvizuar fermerët përziejnë gjethet e kokas me vajguri, duke nxjerrë prej saj një krem që përdoret për krijimin e kokainës së pastër, një nga eksportet kryesore të vendit.

Kenioni Micay është rrjedhismiht një pikë e përjetshme tensioni në negocjatat mes qeverisë dhe grupit rebel ushtarak EMC, i cili është shkëputur nga FARC pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes në 2016.

Adriana Rivera, përfaqësuese e komunitetit të San Juan në Micay thotë për rrjetin AFP: “Bashkë me gjethet e kokas kemi gjithçka kemi nevojë këtu, rrugë, qendër shëndetsore, ura, këto i përballojmë me fitimet nga gjethet e kokas”.

Kenioni gjendet në Cauca, një nga tre rajonet ku qeveria ka pezulluar armëpushimin prej muajit që shkoi, pas vrasjes së një gruaje indigjene, dhe tashme kërcënon të dërgojë ushtrinë.

Por situata nuk pritet të gjejë zgjidhje së shpejti teksa prej dekadash qeveria nuk ka guxuar të ndërhyjë në territoret rebele që prodhojnë shumicën e kokainës së Kolumbisë.

Nëse kjo ndodh “do të ketë luftë,” paralajmëron kreu rebel Nelson Enrique Rios, duke dhënë intervistën për rrjetin AFP, pas “lejes së veçantë” që iu dha gazetarëve në rajonin e ndalur për publikun.

Guerrilas te armatosur shihen shpesh që kontrollojnë automjetet dhe pasagjerët, për autorizimet përkatëse të kalimit.

“Micay është kthyer në një fiksim për qeverinë, sikur e gjithë kokaina e Kolumbisë të vinte prej këtej”, thotë duke qeshur Rios, i njohur ndryshe si “Gafas”, prej syzeve të trasha që mban.

51-vjeçari i armatosur por i veshur civil, njihet si pengmarrësi i francezes Ingrid Betancourt dhe pengjeve të tjera të njohur, në kohën kur ishte bashkë me grupin FARC.

Bashkë me guerrilasit, në xhungël fshihen dhe qendra të shumta urbane, për të cilat komentatorët thonë se ‘janë një problem për një ndërhyrje të mundshme të armatosur nga ushtria’, pasi do të shkaktonin vdekje civile.

“Rebelët FARC jetonin prej vitesh në xhungël, ndërsa tani jemi guerrilas gjysmë-urbanë”, shton Gafas.

“Ne jetojmë bashkë me fshatarët, ne mbajmë armët por vendosim të gjithë bashkë, vendos populli”.

Dhe popullata në fakt duket se e pranon bashkëjetesën, për sa kohë ajo sjell të ardhura e furnizimet jetësore për të cilat kanë nevojë./AFP/

FOTO GALERI
6/12
Bashkë me guerrilasit, në xhungël fshihen dhe qendra të shumta urbane

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA