Aksidenti me tetë viktima në Këlcyrë, policia identifikon tre organizatorët nga Shkodra. Dy në pranga tjetri në kërkim! Do t’i transportonin kundrejt pagesës

03/04/2024 12:33

Policia dhe prokuroria e Gjirokastrës ka vijuar me veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur ditën e djeshme, si pasojë e të cilit humbën jetën 8 shtetas (drejtuesi i automjetit dhe 7 emigrantë.

Hetimet kanë saktësuar se të 7 emigrantët ishin nga Pakistani dhe kanë arritur të identifikojnë 3 prej tyre.

Gjithashtu për llogari të hetimeve janë arrestuar Agustin Gjeta 26 vjeç nga qyteti i Shkodrës dhe është  ndaluar Ramazan Dekovi 23 vjeç po nga Shkodra. Të dy këta persona akuzohen për veprën penale ‘ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve’.

Një tjetër shtetas 23 vjeçar nga Shkodra është shpallur në kërkim si i dyshuar se ka bashkëpunuar në rolin e organizatorit me drejtuesin e automjetit për transportin drejt veriut, kundrejt pagesës, të 7 emigrantëve të cilët synonin më tej një vend të Europës Qendrore.

Policia dhe agjentët kriminalistë po punojnë për identifikimin e 4 emigrantëve të tjerë që kanë humbur jetën nga aksidenti. Asnjëri prej emigrantëve mes 28 dhe 32 vjeç nuk kishte me vete dokumente identifikimi. Për të ndihmuar procesin po përdoren edhe metoda të analizës së ADN si dhe kontakte me emigrantë të tjerë të ndalur dhe shkëmbim informacioni me Interpolin. Qindra emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta prej vitesh po përdorin për të hyrë tranzit në Shqipëri shtigjet malore përgjatë kufirit me Greqinë. Megjithëse një pjesë e tyre arrijnë të ndalohen nga policia kufitare dhe misioni Frontex numri i atyre që ja dalin të kalojnë përmes Shqipërisë duke aktivizuar edhe trafikun e paligjshëm mbetet i lartë.

Top Channel