Rritet besimi i konsumatorëve! Të gjithë sektorët e ekonomisë shikohen me optimizëm. E kundërta për ndërtimin

02/04/2024 19:47

Besimi i konsumatorëve dhe bizneseve ka marrë një kthesë pozitive gjatë muajit mars, pas dy muajve radhazi në rënie.

Banka e Shqipërisë tregon se ky indeks është rritur me 2.5% dhe qëndron 7% mbi mesataren historike. Më optimistët për ecurinë e ekonomisë sipas BSH për pjesën e mbetur të vitit janë sektori i industrisë, tregtisë, shërbimeve dhe konsumatorët.

Industria është optimiste se porositë për eksporte në të ardhmen do të rriten. Ndërkohë sektori i shërbimit pati rritjen më të fortë të besimit, sa i përket nivelit të punësimit dhe kërkesës.

Tregtia gjithashtu është rigjallëruar në mars, pas dy muajve të parë të vitit në gjendje pesimiste për nivelin e shitjeve. Sërish sektori nuk pret të rrisë punësimin.

Ndërkohë edhe konsumatorët ishin më optimistë për ekonominë në mars. Individët vlerësuan në përmirësim situatën financiare dhe blerjet në shuma të mëdha.

Ulje raportoi vetëm indeksi në sektorin e ndërtimit. Sipërmarrësit në këtë sektor kanë raportuar një volum më të ulët të ndërtimit aktual, ndërsa me ulje vjen dhe punësimi, por edhe çmimet. Ndërtuesit presin që të kenë çmime më të ulëta në muajt në vazhdim.

Top Channel