Shfaqja “Ekuilibër”! Artisti Erdit Asllanaj interpreton në muzeun “Kadare”

01/04/2024 12:29

Muzeu “Kadare” në Gjirokastër prezantoi përgjatë fundjavës performancën artistike “Ekuilibër” nga artisti Erdit Asllanaj.

I njohur si aktor në interpretimin e roleve në skenë dhe ekran kësaj here ai performoi ndryshe për publikun duke sjellë atmosferën artistike me në qendër muzikën dhe instrumente të pazakontë muzikorë.

“Ekuilibër” ishte një dedikim për jetën dhe për domosdoshmërinë e gjetjes së ekuilibrit brenda saj.

“Për mua ishte vërtetë i mrekullueshëm  i gjithë ambienti, e gjithë atmosfera edhe publiku, ideja është që ne si aktorë, si artistë gjithmonë duhet të jemi në kërkim të rrugëve të reja sepse klasiket ato që bëjmë janë aty, do jenë, do rivihen por zgjodha këtë mënyrë, një mënyrë tjetër për  të provuar veten dhe për  të gjetur rrugë të reja ,dhe mbi të gjitha për  ti shtuar vlera këtij qyteti që është si teatër, që është kaq i bukur”, u shpreh aktori Erdit Asllanaj.

“Kjo performancë është një vlerë e shtuar në aspektin kulturor të qytetit, një aktivitet i cili mendoj se duhet të shtrihet edhe në disa pika të tjera sepse për mendimin tim qyteti i Gjirokastrës është  një skenografi ku aktivitete të tilla bëjnë shumë mirë  sepse ka një ndërthurje mes kulturës dhe turizmit”, tha artisti Aleksandër Kondi.

Muzeu “Kadare” ka iniciuar një radhë eventesh elitare me audiencë të kufizuar. “Ekuilibër” dhe atmosfera që mbushi muzeun me qirinj të ndezur  e testoi mjedisin edhe për performanca mistike ndërsa shfaqja ishte një arritje edhe në aspektin akustik.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA