E paprecedentë në Durrës! Arrestohen hajdutët e statujave dhe ikonave historike, një prej tyre roje i parkut arkeologjik

30/03/2024 11:33

Dy persona janë arrestuar në flagrancë në Durrës, pasi u kapën me vepra arti të vjedhura nga parqet arkeologjike të vendit.

Në kuadër të operacionit “IKONAT”, ranë në pranga Pëllumb Leka dhe Emanuel Çaço. Gjatë kontrollit në vendin e quajtur “Bishti i Zhurit” në Rrogozhinë, në makinë iu gjetën 13 statuja dhe ikona të madhësive dhe formave të ndryshme.

Dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Leka dhe Çaço merreshin me trafikimin e veprave të artit dhe kulturës. Leka, i cili ishte i punësuar pranë parqeve arkeologjike, herë si rojë dhe herë si ndihmës, siguronte statuja dhe ikona të madhësive të ndryshme në qytetet Fier, Berat, Gjirokastër, dhe më pas në bashkëpunim me Emanuel Çaçon, i trafikonin me qëllim përfitimin.

Një pjesë të statujave dhe ikonave ua shisnin shtetasve të huaj nga Italia, Greqia dhe Mali i Zi, kundrejt vlerave që varionin nga 10 000 deri në 20 000 euro.

Top Channel