“Qëlloi me pushkë në ajër”, policia jep detaje për kërcënimin ndaj avokatit dhe nipit të tij në Memaliaj: Në pranga autori 41 vjeçar, armën e kishte fshehur në…

29/03/2024 09:58
Arma dhe fishekët e sekuestruar

Policia e Gjirokastrës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me kërcënimin me armë zjarri që iu bë mbrëmjen e djeshme avokatit Andrea Zotaj dhe nipit të tij në Memaliaj.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 19:30 në fshatin Qesarat kur avokati Andrea Zotaj, 54 vjeç dhe nipi i tij E.Z, 34 vjeç kanë qenë duke qarkulluar në të njëjtin automjet.

Autori i dyshuar, Fatos Lamaj ka dalë para makinës ku udhëtonte avokati dhe ka qëlluar me armë zjarri të tipit “pushkë” në ajër. Më pas, autori e ka fshehur armën e zjarrit në një zonë të pyllëzuar të fshatit.

Pas mbërritjes së forcave policore, 41 vjeçari është arrestuar, ndërsa në njoftim thuhet se ngjarja mund të ketë ndodhur për motive të dobëta.

“Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri (pushkë), në ajër, me qëllim kanosjen e shtetasve A. Z., 54 vjeç dhe E. Z., 34 vjeç, të afërm të njëri-tjetrit, të dy banues më fshatin Anë Vjosë. Më pas, ai ka fshehur armën e zjarrit, në një zonë të pyllëzuar, në fshatin Qesarat”– njofton policia.

Arma e zjarrit u gjet nga shërbimet e Policisë dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me disa fishekë.

Më herët u raportua se dyshohet se shkak për këtë kërcënim është bërë një konflikt mes avokatit dhe autorit.

Top Channel