“Një shtrat plot me të huaj”/ Komedia angleze shfaqet premierë në Durrës

29/03/2024 15:34

Komedia angleze “Një shtrat plot me të huaj” u shfaq premierë, mbrëmjen e kaluar, në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

E shkruar nga Dave Freeman dhe regji nga Adelina Muça, kjo komedi vjen si një shfaqje argëtuese plot të papritura dhe njerëz të panjohur që përfundojnë në të njëjtën dhomë hoteli. Nuk mungon as muzika dhe kërcimi.

“Kjo shfaqje vihet për herë të parë në Shqipëri nga Dave Freeman, autor i mbi 200 veprave teatrore dhe telekomedi, mes të cilave dhe “Alo, Alo” Është një komedi që sjell shumë humor me situata të jashtëzakonshme. Nuk është nga veprat ku mund të mendosh apo reflektosh shumë. Është pak si Big Brother. Kam luajtur me elemente pak surealistë. Është një hotel që flet”, tha regjisorja Adelina Muça.

Aktorët Gentian Zenelaj, Mimoza Marianaku, Alesia Xhemalaj, Romir Zalla, Amos Muji Zaharia, Rudina Dembacaj dhe Selma Bakalli sjellin në skenën e teatrit humor dhe argëtim, përmes karaktereve dhe identiteteve të ndryshme, si dhe përpjekjes për t’u hequr ndryshe nga cc’janë në të vërtetë.

“I vetmi që ka identitet dhe ka mbetur ashtu sicc ka qenë është ky hoteli që në fund të shfaqjes duket se njerëzit lodhen kot për t’u hequr ata që nuk janë”, tha Muça.

“Unë luaj rolin e Hajnsit që nga emri kuptohet ç’mund të përfaqësojë. Gjatë performancës kuptohet që kam një dilemë dhe publiku do ta kuptojë në jam drejtor a drejtoreshë. Për të mos e bërë të vështirë me veten time, kam zgjedhur të mendoj që ndjenja nuk ka gjini. Unë dua dikë dhe nuk ka rëndësi kush është”, tha aktorja Mimoza Marjanaku.

Në prag të sezonit turistik, komedia nxjerr në pah dhe realitete shpesh jo të këndshme për zonat turistike në zhvillim.

“Për dy muaj jemi në sezonin turistik dhe unë jam në lëkurën e personazhit të drejtorit, pronarit të një hoteli, t’i bëj një thirrje pronarëve të hoteleve që ajo që paraqesin në booking të jetë e vërtetë, pasi ndodh që paraqesin një hotel luksoz me kushte super të shkëlqyera dhe njerëzit që paguajnë, vijnë dhe gjejnë të kundërtën. Kaq kisha”,  Marjanaku.

Komedia do të vijojë të shfaqet në teatrin e Durrësit edhe gjatë kësaj fundjave.

Top Channel