Llogari bankare, apartamente dhe makina/ GJKKO sekuestron pasuritë e bosit shqiptar të drogës në Evropë dhe kunatit të tij

29/03/2024 09:43

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion vendosi të sekuestrojë pasuritë e dy trafikantëve shqiptarë, Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut, si dhe personave të lidhur me ta, pas kërkesë së SPAK.

Princ Dobroshi, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili njihet si bosi shqiptar i drogës në Evropë dhe kunati i tij Olsi Syziu aktualisht po hetohen nga autoritetet gjermane për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i paligjshëm i lëndëve narkotike në kuadër të grupit të organizuar kriminal”, pasi gjatë vitit 2020 ai së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë kishin planifikuar dhe kanë transportuar sasi të konsiderueshme kokaine, nëpërmjet rrugës detare nga Amerika e Jugut për në Gjermani.

Sipas SPAK, nga burime të hapura, siç janë mediat online, si dhe informacioneve të partnerëve, rezultonte se Princ Dobroshi në vitin 1993, ishte kapur, dhe më pas ishte dënuar në Norvegji me 14 vjet burg për trafikim të heroinës.

Olsi Syziu gjithashtu ka shpërndarë lëndë narkotike në Gjermani.

Subjektet e hetimit pasuror kanë lidhje krushqie me njëri tjetrin, pasi Princ Dobroshi ka për grua motrën e subjektit Olsi Syziu.

Pasuritë e sekuestruara janë:

1. Dhjetë llogari bankare me gjendje në total rreth 133 000 (njëqind e tridhjetë e tre mijë) Euro;

2. Pasuria e paluajtshme e llojit godinë banimi, me adresë, “Gjiri i Lalzit”, Draç, Durrës, me sipërfaqe: kati përdhe 92 m², kati i parë 97 m², kati i dytë 55 m² + verandë me sipërfaqe 42 m² dhe sipërfaqe e përbashkët 576 m², në pronësi të shtetases S.R;

3. Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe 61.38 m², e regjistruar në emër të shtetasve Olsi Syziu, B.S, A.S dhe M.C (S), në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Selitë, Tiranë;

4. Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 95.96 m², e regjistruar në emër të shtetasve Olsi Syziu, B.S, A.S dhe M.C (S), në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Selitë, Tiranë;

5. Pasuria e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 198.4 m2 banim, dhe dy poste parkimi, me sipërfaqe totale 234.1 m2 me adresë “Liqeni i Thatë”, Tiranë;

6. Pasuria e luajtshme automjet i markës “Volvo”, modeli “XC 60”, viti i prodhimit 2015, ngjyrë e zezë, në pronësi të shtetases A.S.

7. Shoqëria tregtare “SLAI”, me numër identifikimi tatimor (NIPT): M18330301H, me adresë në qytetin e Lezhës, si dhe me ortak të vetëm shtetasin Olsi Syziu.

Top Channel