Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç e deklaroi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës do të shihet nga Serbia si “gjest armiqësor” ndaj saj.

Beogradi u shpreh ai, nuk do të ndalet së kundërshtuari këtë gjë “hapur, politikisht dhe në mënyrë procedurale”. “Ka një dëshirë për nxitim për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës”, u shpreh Petkoviç duke nënvizuar se kjo ndodh se për shkak të “disa interesave gjeostrategjike që kanë pak të bëjnë qoftë me Beogradin apo Prishtinën”. Dhe këtu, erdhi edhe një paralajmërim për ndërkombëtarët. “Ata që vendosin për këtë le të mendojnë me kujdes nëse anëtarësimi eventual i Prishtinës në Këshillin e Europës do të kontribuojë për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim në kontinentin tonë, apo nëse do të kishte efektin e kundërt”, tha zyrtar i lartë serb.

Serbia, vazhdoi ai, i bën thirrje partnerëve të saj në Këshillin e Europës “të kenë parasysh se një rezultat i tillë do të përbënte një precedent, i cili  do të shkatërronte vetë parimet themelore të kësaj organizate” kur të vendosin që të përfshijnë edhe Kosovën. Petkoviç është njëkohësisht kryenegociatori i palës serbe në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit. Komentet e tij kontrastojnë hapur me pjesën e marrëveshjen e Ohrit e cila dikton që palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës e miratoi një ditë më parë rekomandimin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, që dilte në përfundimin se vendi i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i këtij organizmi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA