“S’po jepet asnjë e dhënë e re”, Mediu pas seancës: Mos përgjigja e dëshmitarëve tregon se prokuroria i ka sjellë për formalitet

27/03/2024 10:12

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu tha se Prokuroria e Posaçme po merr dëshmitarë formalë në seancë dhe se deri tani nuk ka asnjë të dhënë të re nga çështja “Gërdeci”.

“Besoj që kjo është rruga më e  drejtë pse nuk duhet bërë në këtë formë, përmes video konferencës, vijon një lloj gjyqi që qartësisht prokuroria nuk po japin asnjë të dhënë të re, dëshmitarët vijojnë të mbajnë qëndrimin për t’u mos u pyetur, njerëz që kanë qenë kontraktorë apo kanë marrë vendime, mos përgjigja e tyre tregon se prokuroria i kanë sjellë si dëshmitarë formalë”, tha Mediu.

Ish administratori i Albademil Mihal Deliorgji ishte personi i vetëm që u paraqit ditën e sotme në procesin “Gërdeci”, por nuk preferoi të dëshmonte.

Avokatët e ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu kërkuan që dëshmitë e dhëna nga Deliorgji, si person në hetim dhe si i pandehur, të bëhen pjesë e fashikullit të gjykimit, kërkesë që u pranua nga GJKKO.

Dëshmitë janë bërë përkatësisht me 17 mars të 2008 dhe më 21 qershor të 2008.

Nga ana tjetër, ish sekretarja e Ministrisë së Drejtësisë Anjola Agolli, Luan Hoxha dhe Denis Hajdari nuk u paraqitën në seancë për të disatën herë, ndërsa gjykata përsëriti sërish thirrjen e tyre.

Për Denis Hajdarin, Prokuroria e Posaçme kërkoi që të bëhet shoqërimi i detyrueshëm i tij, pasi ka marrë dijeni për seancën.

E pyetur nga mbrojtja e Mediut, GJKKO vendosi të lë të pandryshuar mënyrën e marrjes në pyetje të përfaqësuesve të kompanisë amerikane SAC, që sipas gjykatës do të behet me letër porosi dhe jo me video konferencë.

Seanca e radhës u caktua më datë 9 prill në orën 09.00.

Top Channel