Shtyhet seanca për Gërdecin, paraqitet vetëm Mihal Delijorgji! Ja kur do të mbahet gjyqi i radhës! Si do të merren në pyetje 5 shtetasit amerikanë

27/03/2024 09:50

Ish administratori i Albademil Mihal Deliorgji ishte personi i vetëm që u paraqit ditën e sotme në procesin “Gërdeci”, por nuk preferoi të dëshmonte.

Avokatët e ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu kërkuan që dëshmitë e dhëna nga Deliorgji, si person në hetim dhe si i pandehur, të bëhen pjesë e fashikullit të gjykimit, kërkesë që u pranua nga GJKKO.

Dëshmitë janë bërë përkatësisht me 17 mars të 2008 dhe më 21 qershor të 2008.

Nga ana tjetër, ish sekretarja e Ministrisë së Drejtësisë Anjola Agolli, Luan Hoxha dhe Denis Hajdari nuk u paraqitën në seancë për të disatën herë, ndërsa gjykata përsëriti sërish thirrjen e tyre.

Për Denis Hajdarin, Prokuroria e Posaçme kërkoi që të bëhet shoqërimi i detyrueshëm i tij, pasi ka marrë dijeni për seancën.

E pyetur nga mbrojtja e Mediut, GJKKO vendosi të lë të pandryshuar mënyrën e marrjes në pyetje të përfaqësuesve të kompanisë amerikane SAC, që sipas gjykatës do të bëhet me letër porosi dhe jo me video konferencë.

Seanca e radhës u caktua më datë 9 prill në orën 09.00.

Top Channel