Një grua në Britani tregonte sesi kishte nisur të kujdesej për që besonte se ishte një ‘iriq bebe’ i humbur nga foleja, duke e mbajtur në shtëpi gjatë natës dhe duke i lënë ushqim aty pranë.
Por kur të nesërmen e çoi në klinikën e kafshëve i thanë se ishte vetëm një topth leshi i rënë nga kapuçi i dikujt.
Dashamirësja besonte se kishte gjetur një kafshë të plagosur në trotuar dhe kaloi natën duke u kujdesur për të, edhe pse pranonte se ishte “disi më i butë” se një iriq gjembaç.
Mëngjesin e ardhshëm kur ajo e çoi për kontroll te spitali i kafshëve Knutsford, Cheshire, doktoresha Janet Kotze i hodhi një sy dhe i tha se ‘iriqi’ kishte rënë nga maja e një kapuçi leshi”.
Kur doktoresha i dha lajmin, gruaja e turpëruar nuk e besonte: “Po tallesh, nuk është një iriq?”
Rrjedhimisht dashamirësja u largua nga spitali me kutinë që kishte përgatitur për të mbajtur kafshën në dorë.
Doktoresha e zbavitur Kotze tha: “Ishte kafsha e parë që sillej në klinikë atë ditë. Zonja erdhi me kuti në dorë dhe tha se kishte gjetur një iriq bebe jashtë në të ftohtë dhe e kishte mbajtur brenda gjatë natës”.
“Unë e hapa kutinë dhe nuk dija ç’të shihja. Sigurisht që nuk ishte një iriq, ndoshta ndonjë krijesë tjetër leshtore. Po më pas kuptova se nuk ishte e gjallë. Gruaja ishte e dashur dhe e kujdesur, por pasi e kuptoi gabimin u largua shpejt”.
Kotze shtonte se nëse dikush gjen një iriq bebe ditën, ata duhet ta dërgojnë në klinikë pasi kjo do të thotë se janë të braktisur, teksa nënat iriq i lejojnë ata të lëvizin vetëm natën.
Janet shtonte: “Iriqët nuk dalin gjatë ditës, veçanërisht të vegjlit kështu që ajo bëri gjënë e duhur në teori, përveç faktit se ai nuk ishte fare një iriq”.
Top Channel