Turistë në Lazarat! Fshati synon ta përdorë historinë e së shkuarës tani për turizëm

26/03/2024 12:15

Në Lazarat banorët kanë nisur të investojnë në turizëm dhe të tërheqin grupet e para të kureshtarëve.

Fshati i njohur për kultivimin shumëvjeçar të kanabisit po përpiqet ta kthejë edhe atë të kaluar në një atraksion turistik. Pikërisht për shkak të historisë që ky vend ka për të treguar për të kaluarën dhe të ardhmen vizitorët kërkojnë të eksplorojnë brenda traditave, gatimit, mundësive për të zbuluar natyrën dhe monumentet. Turistët e parë të Lazaratit janë tërhequr nga mundësia për të gatuar bashkë me një familje lokale dhe për tu përfshirë në punët e fshatit. Loreta që e drejton këtë eksperiencë e sheh të ardhmen e ekonomisë së zonës të lidhur me turizmin.

“Duke parë interesin në rritje të turistëve për gatime tradicionale për kulturën menduam që kemi shumë gjëra për të ofruar. Një pikë e fortë është kulinaria kështu që mendova të krijoj një klasë gatimi. Ne si bazë kemi miellin e grurit dhe gatuajmë petanikun shapkatin dhe janë të gjitha grupmoshat”, tha një amvisë Loreta Bejko.

Në Lazarat janë duke u ngritur edhe disa eksperienca të tjera ndërsa guidat e para tregojnë se mund ti udhëheqin vizitorët deri në kulmin e malit të Sopotit, shtigje që dikur përdoreshin për transportin e marijuanës.

“Ne i çojmë turistët në malin e Sopotit që është një habitat i rrallë natyror Livohovë, Selckë, kalatë përreth”, u shpreh Gurali Gjyli, gudië.

“Unë jam guidë hiking dhe i shoqëroj turistët gjithandej në Sopot, zonat arkeologjike, turin nga akuedukti i vjetër që lidh malin e Sopotit me kalanë e Ali Pashës”, tha Ani Mahmutaj.

Banorët po çelin edhe bujtinat e para për të pritur vizitorë. Megjithëse numri i shtretërve ende është minimal kapacitetet janë të larta. Krahas mundësisë për akomodim fshati po evidenton edhe aspekte të trashëgimisë, kostumeve, këngëve, legjendave, pasurisë së rrallë të bimëve dhe jetës tradicionale rurale.

“Ne kemi shndërruar banesën tonë në bujtinë dhe kemi rreth 10 shtretër. Ka interes dhe presim edhe më shumë vizitorë në të ardhmen”, tha Fatime Meçi

“Nisma Lazarati turistik është ndërmarrë nga banorët e këtij komuniteti për të ofruar shërbime në të gjithë zonën. Kemi klasa gatimi, arti, ikonash, bee-class etj. Patjetër që kemi edhe nevoja si ndriçimi e pastrimi”, u shpreh organizator eksperiencash Laçe Meçi.

Fshati që dikur kishte rreth 5000 banorë tani njeh një shkallë emigracioni rreth 60-70%.

Fenomeni kanabis megjithëse jo prezent prej vitesh në këtë zonë ka lenë gjurmë të thella në jetën, mentalitetin dhe ekonominë e të gjitha familjeve. Rikthimi tek bimët medicinale kultivimit dhe përpunimit të tyre si dhe orientimi drejt turizmit janë dy drejtimet kryesore të zhvillimit për një nga fshatrat më të komentuar në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA