Tuneli më i gjatë në Evropë për testimin e teknologjisë hyperloop hapet të mërkurën në Holandë, teksa operatorët shpresojnë që pasagjerët së shpejti të mund të transportohen nga Amsterdami në Barcelonë brenda disa orësh.

Në një qendër hekurudhore të papërdorur pranë Veendam në veri të vendit ndodhet një tunel i bardhë 420 metra i gjatë, i përbërë nga 34 tuba të ndërlidhur me gjerësi rreth 2.5 metra.

Pothuajse i gjithë ajri thithet nga tuneli për të zvogëluar rezistencën e ajrit dhe një automjet shtyhet duke përdorur magnet me shpejtësi që mund të arrijnë 1000 kilometra në orë.

Qendra Evropiane Hyperloop është objekti i vetëm në botë me një tunel që degëzohet nga pista kryesore, duke i lejuar shkencëtarët të testojnë se çfarë ndodh kur një automjet ndryshon shpejtësinë.

Sipas parashikimeve të drejtorit të qendrës, Sascha Lamme, parashikohet që një rrjet prej 10,000 kilometrash tunelesh hyperloop të përshkojnë Evropën deri në vitin 2050.

Firma me bazë holandeze Hardt Hyperloop planifikon të kryejë teste fillestare të automjeteve në javët e ardhshme. Megjithatë, shkencëtarët pranojnë se ka një “rrugë të gjatë” përpara se teknologjia të jetë plotësisht e gatshme dhe ata janë ende shumë larg testimit me pasagjerët.

 

Top Channel