Sulmi në Rusi, kush qëndron pas ISIS-K? DW: Po tenton sulme terroriste edhe ne Europë

26/03/2024 12:26

Dega e ISIS-it që e quan veten “Shteti Islamik Provinca e Khorasanit” (ISIS-K) nxitoi ta merrte menjëherë përgjegjësinë e sulmit në sallën e koncerteve Crocus City Hall në Moskë që shkaktoi me dhjetëra të vdekur.

ISIS-K ka një reputacion si një nga degët më të dhunshme të IS. Grupi terrorist xhihadist transnacional ka vrarë mijëra njerëz në sulme në Afganistan dhe Pakistan që nga viti 2015. Emri i grupit rrjedh nga Khorasan, një emër i lashtë për një zonë që përfshin pjesë të Iranit, Turkmenistanit dhe Afganistanit, megjithëse aktivitetet e tyre shtrihen përtej këtij rajoni. ISIS-K u themelua në vitin 2014 nga një grup të larguarish talebanë dhe anëtarë të Al-Kaedës në Pakistan dhe Afganistan.

Përpara se talebanët të rimerrnin pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021, si SHBA ashtu edhe ish-qeveritare afgane luftuan kundër ISIS-K në Afganistan dhe vranë shumë nga udhëheqësit e mesëm dhe të lartë të kësaj organizate. Megjithatë, vakuumi i sigurisë i krijuar nga tërheqja e SHBA-së i dha këtij grupi një hapësirë të re. Talebanët thonë se po përpiqen të frenojnë aktivitetet e ISIS-K megjithatë, aftësia e talebanëve për të frenuar grupin është parë në raportet e mediave si joadekuate dhe joefektive.

ISIS-K mori përgjegjësinë për vrasjen e 95 njerëzve në qytetin iranian Kerman më 3 janar 2024. Agjencia raporton se, si në sulmin e fundit në Moskë, shërbimet sekrete amerikane e kishin paralajmëruar qeverinë në Teheran disa javë përpara për përgatitjen e një sulmi. Sipas ekspertëve, një nga motivet e sulmeve terroriste ndaj Rusisë mund të jetë ndërhyrja ruse në luftën civile siriane.

DW thotë se grupi po përpiqet të kryejë sulme terroriste edhe në Evropë. Policia gjermane ka arrestuar disa mbështetës të ISIS-K vitet e fundit e pak javë më parë, dy mbështetës të tij u arrestuan në landin Nordrhein-Westfalen me akuzën se po planifikonin një sulm ndaj parlamentit suedez.

Top Channel