Putin fajëson Ukrainën për sulmin në Moskë, ish-presidenti Medvedev: Do të hakmerremi për çdo pikë gjaku

25/03/2024 13:14

Vladimir Putin nuk ka dyshime, për të, autorët e masakrës në sallën e koncerteve Crocus të Moskës, janë njerëz të rekrutuar nga shërbimet sekrete ukrainase.

Atentatorët që flisnin në gjuhët taxhike e arabe e thërrisnin me të madhe “Allah akbar” kishin filmuar veten teksa qëllonin me breshëri plumbash mbi spektatorët, dhe i prisnin njërit prej tyre fytin me thikë.

Me postimin e imazheve të dielën në internet, dy ditë pas sulmit, ISIS-i dukej sikur kërkonte të cimentonte autorësinë e tij. Postuar nga Amaq, që njihet si agjencia mediatike e ISIS, filmimet që zgjasin një minutë e gjysmë tregon se çfarë mund të shihet nga kamerat që mbanin në trup sulmuesit. Shpërthime automatikësh, kufoma, zjarre. Video që shërbejnë qartazi edhe si propagandë.

E megjithatë, Kremlini është i kujdesshëm në lidhje me veshjen e  përgjegjësisë islamizmit radikal. Në Rusi, pista kryesore vazhdon të mbetet ajo e Ukrainës: Emigrantë të paguar pak nga shërbimet e fshehta të Kievit  për të goditur armikun e urryer në zemër të tij. Ish-presidenti Dimitri Medvedev ndërhyri me tone më pak të nxehta se zakonisht duke thënë se: Do të hakmerremi për të gjithë. Dhe kush që të jetë i përfshirë, pavarësisht nga vendi i origjinës dhe statusi, tani e tutje do të jetë objektivi ynë ligjor dhe primar.

Prokuroria ruse ka ngritur aktakuzë ndaj katër burrave të cilët i akuzon për sulmin që mori gati 140 jetë njerëzish. Gjykata i zbuloi emrat e të dyshuarave si Murodali Rajabalizoda, Dalerjon Mirzoev, Muhammadsobir Faizov dhe Faridun Shamsiddin, e tha se ata janë shtetas të Taxhikistanit. Tre prej tyre, Mirzoev, Rajabalizoda, dhe Shamsidin, e kanë pranuar fajin për të gjitha akuzat. Të tërhequr zvarrë në gjykatë, ata kishin shenja torture; njëri prej tyre u çua përpara gjykatësve drejt e nga spitali me karrocë dhe qëndroi ulur me sy mbyllur gjatë gjithë seancës.

Ai kishte shumë plagë dhe mbikëqyrej nga mjekët edhe në sallën e gjyqit. Sipas shtypit rus, njëri prej sulmuesve e kishte vizituar Crocus më 7 mars. Kjo u konfirmua nga një fotograf që punonte në qendrën tregtare atë ditë. Por a ka mundësi që 4 burra pa përvojë dhe pa trajnimin e duhur të kryenin vetë një veprim të tillë, pyesin mediat në Moskë.

Sipas Novaya Gazeta Europe, FSB pretendon se ka bllokuar  300 sulme terroriste në Kaukazin e Veriut në dhjetë vitet e fundit, por Isis-K nuk përbënte një kërcënim kryesor për Kremlinin.

Top Channel