Punonjës socialë në gjykata! Ministria e Drejtësisë nisi pranimin e regjistrimit të ekspertëve

25/03/2024 12:22

Marsi është muaji i punës sociale dhe këtë herë vjen më lajmin e mirë për të gjithë armatën e punonjësve socialë, pasi tashmë ata mund të ushtrojnë të drejtën si ekspertë në të gjitha gjykatat e Republikës së Shqipërisë.

 “Që nga tetori i vitit të shkuar, falë lobimit që bëmë me Ministrinë e Drejtësisë, tashmë është krijuar edhe mundësia që punonjësit social të ofrojnë shërbimin si ekspertë në gjykata duke qenë se Ministria e Drejtësisë ka filluar të pranojë regjistrimin e punonjësve socialë si ekspertë gjykate, në regjistrin e ekspertëve në gjykata të cilin e ka të posaçëm. Kjo është një nismë e rëndësishme, pasi punonjësit social janë  shumë të rëndësishëm kryesisht në çështjet civile dhe këtu më lejo të përmend edhe detyrimet që rrjedhin nga neni 155 I Kodit të Familjes, sipas të cilit përpara se gjykata të shprehet në lidhje me përgjegjësinë apo kujdestarinë prindërore duhet me patjetër të merret edhe mendimi dhe vlerësimi I një punonjësi social, pra përpara se gjykata të shprehet për vendimin final.

Shpjeguar më konkretisht, një punonjës social në momentin që licencohet, e ka shumë të thjeshtë të aplikojë për t’u bërë ekspert në gjykatë, pasi ne e kemi lehtësuar nëpërmjet një procedure dhe bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë. Duke aplikuar nëpërmjet eAlbania thjesht mund të aplikojë dhe të behët ekspert gjykate dhe më pas të shfaqë interes pranë gjykatave për t’u atashuar. Të jemi të sinqertë kemi hasur në një problem përsa i përket qasjes së gjyqtarëve me punonjësit socialë. Për këtë arsye ne ju drejtuam me një kërkesë Këshillit të Lartë Gjyqësor, në muajin janar, në mënyrë që të informohen të gjitha gjykatat, për rolin dhe rëndësinë që kanë punonjësit socialë dhe detyrimin që kanë gjykatat nga neni 155 të Kodit të Familjes për të thirrur punonjës socialë si ekspertë në gjykatë. Punonjësi social është i vetmi që bën vlerësimin social të një familje, prindërve dhe fëmijëve, ndaj duhet patjetër që përderisa gjykata kërkon një vlerësim psiko-social, roli i punonjësit social është pazëvendësueshëm dhe i padublueshëm”, u shpreh Mirgit Vataj, Kryetari i Urdhrit të Punonjësve Socialë ne Shqipëri.

Top Channel