Është vetëdorëzuar në policinë e Shkodrës pas disa orësh kërkim autori i plagosjes me sende të forta të efektivit të policisë, Admir Okaj.

Sipas policisë 47-vjeçari është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Shkodër pas kontrollit dhe presionit të ushtruar nga policia.

Pas një konflikti për motive të dobëta, ai ka dëmtuar në kokë me sende të forta fqinjin, efektivin Admir Okaj, 49 vjeç. Punonjësi i policisë, i cili në momentin e sherrit ka qenë jashtë shërbimit, ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Policia deklaron se dyshohet se gjatë sherrit, është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme arma e shërbimit të efektivit, por pa shkaktuar dëmtime.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, në lidhje me këtë ngjarje, po kryen veprime edhe AMP, për të zbardhur rrethanat e përdorimit ose jo të armës së zjarrit, si dhe për të përcaktuar nëse shkrepja e armës ka qenë e pavullnetshme.

Top Channel