Fiks Fare/ IMT Tiranë merr vendimin për prishjen e objektit të paligjshëm, prej shtatë vitesh nuk e ekzekuton

25/03/2024 20:40

Prej 7 vitesh një vendim i marrë nga IMT Tiranë për prishjen e një shtese objekti i ndërtuar në mënyrë të paligjshme, nuk zbatohet.

Dalip Kadriu avokat, ankohet në emisionin Fiks Fare, se kati i katërt i një banese është vendosur të prishet në 2017 nga IMT Tiranë.

Kundravajtësi është dënuar dhe me gjobë për ndërtim të paligjshëm, por që ky vendim ende edhe sot e kësaj ditë nuk është ekzekutuar.

Ai thotë ka shkuar disa herë në IMT Tiranë, në IKMT dhe nuk ka gjetur zgjidhje. Ai i vë në dispozicion Fiksit edhe korespodencën që ka patur me këto institucione. IMT Tiranë kthen përgjigje se nuk ka mjete, ndërsa IKMT-ja ia lë si detyrë IMT-ës ta prishi.

Fiksi iu drejtua IMT-së se pse ky vendim i marrë prej tyre nuk ishte ekzekutuar ende pas 7 vitesh.

Në përgjigjen zyrtare të kthyer për emisionin investigative IMT-ja thotë se i ka bërë të gjitha procedurat ligjore për prishjen e këtij objekti. Sipas tyre kanë shkuar dy herë pranë objektit, por kundravajtësit nuk kanë hapur derën dhe për pasojë nuk kanë kryer prishjen.

Ky institucion i referohet ligjit për kundravajtjet administrative duke thënë që kanë kaluar afatet për ekzekutimin e vendimit, pasi sipas tyre objekti duhej prishur brenda 2-viteve. Kështu vendimi duhej ekzekutuar deri në vitin 2019
Por këtë institucion e tradhtojnë shkresat.

Fiksi solli një shkresë të tetorit 2023 ku IMT Tiranë i kërkonte IKMT-ës që t’i jepte mjete dhe të prishnin objektit.
Kështu Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit njëherë thotë që mbaruan afatet në 2019, njëherë kërkon mjete për prishje në 2023.

Qytetari endet dyerve të institucioneve prej 7 vitesh dhe vendimi për prishje nuk ekzekutohet.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel