Presidenti 79-vjeçar i Ugandës Yoëeri Museveni, ka emëruar të birin e tij Gjen. Muhoozi Kainerugaba në krye të ushtrisë.
Ngritja në detyrë e birit 49-vjecar të presidentit vjen pas ndryshimeve të kabinetit ku 5 ministra u shkarkuan.
Në pushtet prej vitit 1986, Museveni mohonte spekulimet se po ‘përgatit’ të birin e vetëm si pasues të tij, shkruan rrjeti BBC.
Kainerugaba është një figurë e debatuar në vend teksa përfshihet gjithnjë e më shumë në çështjet politike, duke shkelur protokollin e ushtarakut.
Në 2022 presidenti shkarkoi te birin nga posti i komandantit të forcave tokësore të ushtrisë, pasi bëri disa kërcënime në rrjetin Twitter, se “do të pushtonte Kenian fqinje”.
Presidenti Museveni gjithashtu i kërkoi ndjesë liderit të Kenias për llogari të të birit “gjaknxehtë”.
Por komenti ofendues i gjeneralit Kainerugaba është ende në rrjet dhe tani po promovohet në krye të ushtrisë.
Në një tjetër postim të kontestuar biri i presidentit thoshte se “do të dërgonte trupat në Moskë për të ndihmuar presidentin Putin “në mbrojtjen e Rusisë nga lufta në Ukrainë”.
Ai zëvendëson tashmë gjeneralin Wilson Mbadi i cili ndërron detyrë dhe do të drejtojë ministrinë e tregtisë.
Reagimet e emërimit të Kainerugaba kanë ngjallur shqetësim.
Deputeti opozitar Ibrahim Semujju Nganda tha për rrjetin AFP se presidenti Museveni po trajtonte Ugandën si “ndërmarrje personale të familjes së tij”.
Ai dënonte emërimin dhe shtonte se ugandasit duhet të kundërshtonin këtë “dinasti familjare”.
Pas zgjedhjeve të vitit 2021 opozita ka akuzuar presidentin Museveni, të birin dhe zyrtarë të tjerë për përdorim torture e rrëmbimesh gjate fushates.
Zëdhënësit e presidentit kundërshtojnë pretendimet duke thënë se “rivalët politikë japin informacione të gabuara”.
Top Channel