Ekspozita për Pavarësinë e Greqisë në Gjirokastër, marrin pjesë piktorë grekë dhe shqiptarë

22/03/2024 15:39

Në 203-vjetorin e pavarësisë së Greqisë në Gjirokastër, artistë grekë, minoritarë dhe piktorë të njohur shqiptarë kanë sjellë për publikun një ekspozitë të artit pamor  me tematikë të përgjithshme por në fokus ka qenë evidentimi i shkëmbimeve kulturore dhe njerëzore mes fqinjëve.

Ekspozita solli punime të 27 artistëve nga disa rajone të Greqisë si dhe nga qytetet e Gjirokastrës, Sarandës,  Vlorës dhe një artist nga Lazarati. Teknikat dhe larmia e punimeve, prania e piktorëve të të gjitha moshave dhe diversiteti i këndvështrimeve e renditi këtë event arti mes prurjeve më cilësore të viteve të fundit.

“Janë rreth 27 piktorë e skulptorë të arteve figurative që kanë ardhur me kënaqësi për të pasqyruar veprat e tyre. E veçanta e ekspozitës është sepse këtu janë bashkuar artistë shqiptarë me artistë grekë sepse arti i bashkon njerëzit. Ka mosha të ndryshme siç janë piktorët Stavri Çati e Vasil Lili mbi 80 vjeç e deri tek artistë 20-vjeçarë”, tha specialisti i kulturës, Stefan Arseni.

“Është një festë që i mbledh artistët edhe shpirtërisht. Përzierja e emocioneve të të rinjve me të vjetrit krijon një fizionomi të bukur të artit”, u shpreh profesori i artit, Llambi Margariti.

Sravri Çati, piktori i njohur nga Gjirokastra me një përvojë gati 70 vjeçare i sheh të rëndësishme këto takime arti jo vetëm për shkëmbimet kulturore mes etnive por me vlerë për edukimin në përgjithësi të publikut me artin pamor.

“Pas 40 vjetësh kam parë piktorë shokë të mitë që kanë ardhur nga larg. Është një ekspozitë e plotë. Nuk kisha parë ekspozitë të ngjashme më parë për shumë shkaqe. Ka punime që mu dukën shumë interesante. Unë vetë vij me 3 punime në peisazh një nga Gjirokastra dhe dy nga fshati Sotirë”, tha Çati.

Ekspozita me rreth 70 punime në vaj, akuarel, grafikë dhe tematikë të lirë që nga peisazhi, portreti, lufta, jeta e përditshme, natyra e qetë por edhe abstragimi do të qëndrojë e hapur edhe përgjatë fundjavës në Gjirokastër.

Top Channel