Ekskluzive/ A do të ketë non-grata të reja për aktorët e politikës në Shqipëri? Robinson: Duhet ta kuptojnë se ka një çmim që duhet paguar nëse… (E plotë)

21/03/2024 07:13

“Do të përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion për t’iu vënë pas aktorëve të korruptuar dhe për të ndihmuar institucionet shqiptare që t’i vihen pas aktorëve të korruptuar. Kemi një numër mjetesh dhe shpalljet non-grata dhe sanksionet e vizave janë mes tyre, dhe ne do të vazhdojmë t’i përdorim ato sepse janë mënyra të efektshme për t’u siguruar që ata zyrtarë të rëndësishëm, zyrtarë të nivelit të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë ta kuptojnë që për akte korruptive ka një çmim që duhet paguar dhe të gjitha mjetet që ne kemi në dispozicion do të vihen në punë kundër atyre aktorëve të korruptuar”.

Nga krimi i organizuar te non-gratat e shpallura nga SHBA për aktorët politikë në vendin tonë, kanë qenë disa nga pikat kyçe që Ndihmës-Sekretari i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin Todd D. Robinson ka folur për Top Channel, në një intervistë ekskluzive për Anila Hoxhën.

Në intervistën e transmetuar mbrëmjen e djeshme në “Top Story”, Robinson i pyetur nëse do të ketë më shpallje non-grata për aktorët politikë në vendin tonë, tha se SHBA ka numër mjetesh dhe shpalljet non-grata dhe sanksionet e vizave janë mes tyre, dhe se do të vazhdojnë t’i përdorim.

Kjo sipas tij, pasi janë mënyra të efektshme “për t’u siguruar që ata zyrtarë të rëndësishëm, zyrtarë të nivelit të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë, ta kuptojnë që për akte korruptive ka një çmim që duhet paguar”.

Intervista e Plotë

Anila Hoxha: Z. Robinson, së pari, faleminderit për këtë intervistë. Ju keni qenë në Shqipëri midis viteve 2004-2006 dhe në këto më pak se 24 orë, si ju duket ky qytet dhe Shqipëria?

Todd D. Robinson/ Ndihmës-Sekretarit i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin: Përshtypja ime është që është një vend dhe ky është një qytet që ka ndryshuar shumë nga vitet 2004-2006. Dhe mendoj, në masën më të madhe, për mirë. Shoh shumë më tepër biznese, shoh njerëz që dalin për blerje, për të ngrënë. Kanë shumë më tepër zgjedhje dhe opsione. Mendoj se është një qytet dhe një vend që qartësisht ka ecur përpara në mënyrë shumë pozitive. Është shumë e këndshme ta shohësh.

Anila Hoxha: Cila është ajo që ju ka bërë më shumë përshtypje?

Todd D. Robinson/ Ndihmës-Sekretarit i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin: Sinqerisht, aeroporti i ri; është shumë më afër. Rruga për në qytet ishte e shkëlqyer. Kishte mbikalime e nënkalime që ndihmonin me trafikun. E di që trafiku është ende problem, por pashë një përmirësim të qartë. Kujtoj se kur isha këtu në 2004-ën, rruga për në aeroport kalonte mes fushave bujqësore dhe ishte mjaft larg. Dhe merrte shumë kohë. Aeroporti i ri është modern. Është më afër. Është më mbarë për qytetarët e zakonshëm. Dhe mendoj se është një përmirësim i qartë dhe një shenjë e qartë që vendi po ecën përpara.

Anila Hoxha: Ambasada amerikane këtu në Tiranë shpërndau të dhëna dhe fotografi mbi takimin tuaj me prokurorët e posaçëm të SPAK dhe ajo që vumë re ishte stoku i dosjeve të konsiderueshme në zyrat e prokurorëve anti-korrupsion dhe kundër krimit të organizuar. Çfarë menduat në ato momente kur patë stokun e dosjeve në ato zyra?

Todd D. Robinson/ Ndihmës-Sekretarit i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin: Më bëri përshtypje volumi i punës që bënin. Dhe mendoj se po përdorin të gjitha kapacitetet e tyre për t’iu kundërvënë krimit dhe korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në vend. Dhe jam krenar për bashkëpunimin dhe punën e përbashkët me SPAK-un. Dhe synimi ynë është që ta vazhdojmë këtë.

Anila Hoxha: Cili është mesazhi që iu dhatë prokurorëve të posaçëm anti-korrupsion dhe që insistoni ta përsërisni sërisht?

Todd D. Robinson/ Ndihmës-Sekretarit i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin: Dhamë një numër mesazhesh. Së pari, që ata (SPAK) po bëjnë një punë fantastike dhe jo vetëm SPAK, por të gjitha agjencitë e pavarura të drejtësisë po bëjnë punë fantastike, një punë fantastike që shqiptarët e zakonshëm nuk e shihnin kur isha unë këtu, për shembull, në vitet 2004-2006. Ky ishte mesazhi i parë; i dyti – Qeveria e Shteteve të Bashkuara është këtu për t’i ndihmuar me punën e tyre. Ajo që iu thashë ishte, burimet janë të kufizuara kudo në botë. Por një nga vendet ku nuk e kemi problem të shpenzojmë burimet tona është këtu në Shqipëri, për shkak të punës së shkëlqyer që këto institucione po bëjnë. Dhe mesazhi i fundit është se qëllimi ynë është të vazhdojmë të ndihmojmë – kemi një ekip të shkëlqyer këtu. DEA është këtu. Departamenti i Drejtësisë është këtu. FBI është këtu. Po bëjmë punë të madhe me sistemin e burgjeve. Dhe synojmë ta vazhdojmë atë punë sepse është e rëndësishme për marrëdhënien Shtetet e Bashkuara – Shqipëri. Por më shumë sepse është rëndësishme që shqiptarët e zakonshëm ta shohin të bëhet kjo punë dhe të shohin që po mbështetet nga komuniteti ndërkombëtar.

Anila Hoxha: Ku ndodhet Shqipëria në vlerësimin tuaj për sa i takon ligjzbatimit, narko-trafikut, pastrimit të parave dhe anti-korrupsionit?

Todd D. Robinson/ Ndihmës-Sekretarit i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin: Mendoj se kanë treguar se e kanë kapacitetin për t’i kryer këto hetime dhe për t’iu vënë pas këtyre rrjeteve. Po e shohim në Shqipëri. E kam parë në udhëtimet e mia në Amerikën Latine. Kuptojmë që ekspertiza dhe ndërtimi i kapaciteteve nuk janë të lehta. Nuk është diçka e shpejtë. Dhe nuk do të jetë diçka e përsosur. Por shohim që ndodh përparim. Duam të shohim më shumë. Dhe prandaj po ndihmojmë.

Anila Hoxha: Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë theksuar gjithmonë mbështetjen për reformën në drejtësi, financiare dhe morale. A mund të quhet kjo reformë e suksesshme deri në këto momente?

Todd D. Robinson/ Ndihmës-Sekretarit i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin: Është e suksesshme por ka gjithmonë më shumë punë për të bërë. Dhe jemi këtu për të ndihmuar që kjo punë të vazhdojë. Reforma në drejtësi ka shumë nivele të ndryshme – nga sigurimi që qytetarët e zakonshëm kanë qasje në drejtësi, tek sigurimi që ndërveprimi i tyre me sistemin e drejtësisë është transparent dhe një marrëdhënie pozitive për ta, tek sigurimi që ata që futen në sistemin e drejtësisë, kur dënohen për një krim dhe futen në sistemin e burgjeve, që të trajtohen në mënyrë njerëzore. Të gjitha këto janë të rëndësishme, përsëris, për shqiptarët e zakonshëm, të cilët duhet të presin se do të trajtohen pikërisht ashtu kur futen në atë sistem. Dhe prandaj jemi këtu për të ndihmuar, prandaj agjencitë e ndryshme të Shteteve të Bashkuara janë këtu për të ndihmuar.

Anila Hoxha: Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Thesarit kanë shpallur non-grata njerëz të politikës dhe njerëz të biznesit. A do të vazhdoni ta bëni këtë gjë dhe a është kjo një masë e efektshme?

Todd D. Robinson/ Ndihmës-Sekretarit i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin: Do të përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion për t’iu vënë pas aktorëve të korruptuar dhe për të ndihmuar institucionet shqiptare që t’i vihen pas aktorëve të korruptuar. Kemi një numër mjetesh dhe shpalljet non-grata dhe sanksionet e vizave janë mes tyre, dhe ne do të vazhdojmë t’i përdorim ato sepse janë mënyra të efektshme për t’u siguruar që ata zyrtarë të rëndësishëm, zyrtarë të nivelit të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë ta kuptojnë që për akte korruptive ka një çmim që duhet paguar dhe të gjitha mjetet që ne kemi në dispozicion do të vihen në punë kundër atyre aktorëve të korruptuar.

Anila Hoxha: Me institucionet e reja të reformës në drejtësi, a mund të themi ne me garanci të plotë se ka nisur fundi i pandëshkueshmërisë?

Todd D. Robinson/ Ndihmës-Sekretarit i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin: Është një pyetje e ndërlikuar. Nuk mendoj se mund t’ia dalësh që t’i japësh fund pandëshkueshmërisë. Por qëllimi është që të sigurohesh që për këtë pandëshkueshmëri, ka një çmim për t’u paguar. Dhe, duam t’i ndihmojmë këto institucione që po punojnë në këtë luftë kundër pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Duam të sigurohemi që kanë kapacitetin, që kanë forcën, dhe që kanë energjinë, dhe duam që ata të jenë të angazhuar në këtë luftë. Shqiptarët e zakonshëm, qytetarët shqiptarë e meritojnëhis këtë prej institucioneve të tyre. Dhe ata kërkojnë, është e qartë që e duan këtë sepse të gjitha këto institucione kanë mbështetje të madhe publike nga qytetarët shqiptarë. Dhe për sa kohë e tregojnë mbështetjen e tyre, e dimë që po bëjmë gjënë e duhur dhe do të vazhdojmë të punojmë drejt këtyre qëllimeve.

Anila Hoxha: Në kohë të ndryshme, janë goditur dhe janë vendosur para akuzave anëtarë grupesh kriminale ndërkombëtare në fushën e narkotrafikut. Sa prezente është DEA në Shqipëri dhe cili është vlerësimi për institucionet ligjzbatuese shqiptare?

Todd D. Robinson/ Ndihmës-Sekretarit i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin: Ata po marrin pjesë në hetime anembanë botës. Dhe mendojmë se kjo është diçka e mirë. Pata privilegjin të udhëtoja në Peru dhe Ekuador kohët e fundit dhe atje vërenin praninë e rrjeteve kriminale shqiptare në Amerikën Latine por vërenin edhe bashkëpunimin që kanë patur nga institucionet shqiptare, policia prokurorët dhe ndonëse kjo marrëdhënie sapo ka filluar, ka filluar pozitivisht.  Dhe mendoj se institucionet shqiptare po tregojnë kapacitetin për t’i kryer këto hetime komplekse dhe janë të afta ta bëjnë këtë për shka të bashkëpunimit të shkëlqyer mes partnerëve të tyre në Shtetet e Bashkuara dhe partnerëve të tyre në Bashkimin Europian.

Anila Hoxha: Këtu në Shqipëri, Agjencia kundër Drogës (DEA) ka vendosur dy kontakte – në WhatsApp dhe një adresë email – për këdo që mund të informojë në lidhje me çështje të drogës dhe pastrimit të parave. Pse u vendos ky kontakt i drejtpërdrejtë me qytetarët? Pse kërkuat informacione drejtpërdrejt prej tyre?

Todd D. Robinson/ Ndihmës-Sekretarit i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin: Roli i qytetarëve në luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë është në krye. Është përgjegjësia e kujtdo që t’i bashkohet kësaj lufte. Përgjegjësia e qeverisë është e madhe, por edhe qytetarët shqiptarë luajnë rolin e tyre. Janë ata që preken më shumë nga kjo pandëshkueshmëri, nga ky korrupsion dhe duhet të kenë një vend ku të shkojnë dhe t’i thonë dikujt se çfarë po ndodh dhe të raportojnë se çfarë është e gabuar dhe të presin që institucionet qeveritare do të bëjnë pjesën e tyre dhe detyrën e tyre për t’i ndjekur këto dhe për të kryer hetimet që janë të nevojshme për t’i sjellë përgjegjësit përpara drejtësisë.

Anila Hoxha: Bazuar në informacionet që ju dispononi, a janë treguar të gatshëm shtetasit shqiptarë që të japin informacione të rëndësishme për narkotrafikun dhe pastrimin e parave që vijnë nga droga?

Todd D. Robinson/ Ndihmës-Sekretarit i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin: Me sa kam kuptuar, sistemi po funksionon shumë mirë, shqiptarët në fakt po luajnë rolin e tyre dhe institucionet shqiptare e mirërpresin këtë informacion.

Anila Hoxha: A mund të themi se këto dy pika kontakti për të informuar dhe për të qenë në kontakt me DEA-n u vendosën pikërisht edhe për shkak të prezencës së shtuar të grupeve shqiptare në Amerikën Latine?

Todd D. Robinson/ Ndihmës-Sekretarit i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin: Absolutisht. Ajo që kemi parë është se këto rrjete kriminale ndërkombëtare shqiptare, meksikane, kolumbiane, nuk respektojnë kufij. Janë institucione globale. Keni praninë e rrjeteve kriminale shqiptare në Amerikën Latine, keni praninë e rrjeteve kriminale meksikane dhe kolumbiane në Europë dhe Azi. Ajo që është e qartë është se në shumë mënyra, ata punojnë bashkë për ta vazhduar veprimtarinë e tyre të jashtëligjshme. Dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të punojë më mirë për të bashkëpunuar përtej kufijve, duke respektuar kufijtë e njëri-tjetrit, por përtej kufijve me shkëmbim informacioni dhe duke ndihmuar me operacionet. Nëse nuk e bëjnë, fitojnë kriminelët. Dhe nëse e bëjnë, atëherë bëjmë shumë përparim drejt heqjes së atyre fitimeve nga duart e këtyre rrjeteve kriminale, fitime që lejojnë korrupsionin, fitime që lejojnë pandëshkueshmërinë. Nëse mund t’ua heqim nga duart këtë, do kemi bërë shumë përparim drejt ndalimit të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë që na prek të gjithëve.

Anila Hoxha: Raporti i Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Narkotrafikut i vitit 2023 evidentoi se Shqipëria vazhdon të jetë burim kanabisi dhe vend kyç tranziti për grupet e krimit të organizuar që lëvizin narkotikët në tregjet europiane? A është Shqipëria një nga portat hyrëse të kokainës në Europë?

Todd D. Robinson/ Ndihmës-Sekretarit i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin: Absolutisht. Përgjigja e shkurtër është që po. Por përgjigja më e ndërlikuar është se sigurisht, Shqipëria nuk është e vetmja pikë hyrëse për Europën për të gjitha këto. E shohim në të gjitha portet, kudo në Europë, shohim narkotikë që shkojnë nga Amerika Latine në porte të ndryshme në Europë; shohim kimikatet bazë që vijnë nga Kina nëpër portet e Europës, në Shtetet e Bashkuara dhe në Meksikë. E përsëris, kjo është një sfidë globale. Shqipëria kohët e fundit iu bashkua Koalicionit Global Kundër Drogave Sintetike. Ky është një problem global dhe asnjë vend nuk merret dot me të i vetëm. Duhet të punojmë së bashku si bashkësi ndërkombëtare, duhet të rrisim rrjetin tonë global, ashtu si kriminelët e organizuar e ndërkombëtarë kanë zgjeruar rrjetin e tyre, edhe ne duhet të tregohemi më të zgjuar, duhet të jemi më efiçentë, duhet të bashkëpunojmë më mirë përtej kufijve. Ky është qëllimi. Deri tani, institucionet shqiptare kanë qenë partnerë të shkëlqyer për këtë. Dhe presim që kjo të vazhdojë në të ardhmen.

Anila Hoxha: Pse është i vështirë hetimi i parave që vijnë nga droga dhe cili është sugjerimi, cila është zgjidhja që autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri të jenë efiçente për të goditur pastrimin e parave?

Todd D. Robinson/ Ndihmës-Sekretarit i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin: Këto janë hetime të ndërlikuara, komplekse që ndodhin, siç e përmendëm, janë rrjete globale. Ato lëvizin para në shumë mënyra, përmes sistemit banker tradicional, por edhe sistemeve bankare kibernetike, sistemeve bankare online, po gjejnë gjithnjë e më shumë mënyra novatore për të fshehur paratë e tyre. Kjo nuk është diçka e lehtë. Dhe prandaj Bashkimi Europian, bashkësia ndërkombëtare, agjencitë nga Shtetet e Bashkuara punojnë kaq ngushtë me partnerët tanë në Shqipëri, duke iu dhënë atyre kapacitetet për t’i bërë këto. Po bëjnë një punë të shkëlqyer tani, por ka shumë më tepër për të bërë. Mund të ndihmojmë me ndërtim kapacitetesh, mund të ndihmojmë me shkëmbim informacioni, mund të ndihmojmë me kontakte në vende të tjera kudo në botë. Po i bëjmë të gjitha këto për t’iu dhënë të gjitha institucioneve shqiptare mjetet që iu duhen për ta luftuar këtë pandëshkueshmëri, këtë korrupsion, këtë kriminalitet global.

Anila Hoxha: Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mbështetur në mënyrë të pandërprerë drejtësinë shqiptare dhe institucionet e drejtësisë që të jenë sa më efiçente. A janë këto institucione me të njëjtat kapacitete si aleatët dhe ndërkombëtarët për të marrë pjesë me ta në operacione ndërkombëtare?

Todd D. Robinson/ Ndihmës-Sekretarit i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin: Mendoj se përgjigja e shkurtër është po, ata kanë disa kapacitete. Por kjo është një punë në vazhdimësi dhe kapaciteti i tyre rritet me kohën. Arsyeja pse ne jemi këtu, arsyeja pse Departamenti i Drejtësisë dhe FBI dhe DEA janë këtu është për të bërë pikërisht këtë, për të ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve në mënyrë që roli i këtyre institucioneve të drejtësisë të mund të vazhdojë të rritet. Dhe e dini, do ju kujtoj se kur isha këtu në vitin 2024, në 2006, ne kishim biseda të ngjashme nëse Shqipëria kishte kapacitetin për të bërë x, y, apo z, për t’iu bashkuar NATO-s. Dhe tani ata janë një partner i fortë i NATO-s. Dhe askush nuk e mendonte këtë në 2004-2006. Ata kanë bërë shumë punë. Por ka shumë më shumë punë për të bërë. Dhe mendoj se shqiptarët, ajo çka qytetarët shqiptarë duhet të dinë, është se për sa kohë institucionet e Shqipërisë, institucionet e drejtësisë, institucionet kundër korrupsionit, për sa kohë që ata kanë vullnet të luftojnë kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, ata do gjejnë një partner të fortë te Shtetet e Bashkuara që ka vullnetin t’i shoqërojë ata në atë betejë.

Anila Hoxha: Sa herë që në Shqipëri bllokohen ngarkesa me kokainë, media në Shqipëri raportojnë shkurtimisht duke iu vendosur epitete individëve si baron i drogës, Eskobari i Ballkanit, e kështu me radhë. A ka individë dhe shtetas shqiptarë të cilët kryejnë aktivitetin dhe janë të këtyre përmasave në fushën e narkotrafikut në Shqipëri apo edhe në vendet e Amerikës Latine, të cilët po gjurmohen apo që janë personazhe shumë të dyshuar?

Todd D. Robinson/ Ndihmës-Sekretarit i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin: Do thoja se kriminelët e organizuar shqiptarë ndërkombëtarë janë në të gjithë botën. Ata kanë gjetur rrjete të mëdha kriminale me të cilat bashkëpunojnë. Dhe ata po mundohen në mënyrë aktive të dëmtojnë vendet tona, sistemet tona të drejtësisë. Ata po korruptojnë institucionet dhe po përfitojnë shumë nga veprimtaria e tyre kriminale. Siç e thashë më parë, është me rëndësi që ne të bëjmë gjithçka mundemi për t’u dhënë institucioneve shqiptare mjetet për të ndjekur ato grupe kriminale që veprojnë këtu në Shqipëri, ato që veprojnë në vende të tjera europiane dhe ato që po nisin të veprojnë në pjesët e tjera të botës. Për sa kohë ato vazhdojnë aktivitetin e tyre, bashkësia ndërkombëtare, qeveritë tona, kemi detyrimin të bëjmë gjithçka mundemi për t’i luftuar. Të mëdhenj apo të vegjël, nuk ka rëndësi, ne duhet të bëjmë ç’mundemi për t’i luftuar këto rrjete.

Anila Hoxha: Ju qëndruat në një takim me Kryeprokurorin e SPAK dhe – për t’iu kthyer sërish njoftimeve nga Ambasada për takimet me njerëzit e drejtësisë – kuptova që mesazhi juaj kryesor ose kishit përçuar një mesazh për kurajo dhe guxim tek njerëzit e drejtësisë që hetojnë dhe shpallin vendime. Mund të ndani me ne disa nga këshillat ose mesazhet që iu dhatë prokurorëve të posaçëm të SPAK gjatë këtyre takimeve?

Todd D. Robinson/ Ndihmës-Sekretarit i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin: Siç e thashë më parë, ne duam që ata ta dinë se kanë mbështetjen tonë. Ne i kuptojmë nevojat e tyre dhe atë që ata duam të marrin nga bashkëpunimi me ne. Ne duam që ata të kuptojnë se ne e dimë që nuk është e lehtë dhe ka ende shumë punë për të bërë. Por, si përfundim, mesazhi është: nëse ata kanë vullnetin të bëjnë punën e vështirë, ne jemi këtu për t’i ndihmuar. Dhe nuk është vetëm SPAK-u, janë të gjitha agjencitë e pavarura. Është sistemi gjyqësor. Është sistemi i burgjeve. E dini, ne duam të punojmë me ministritë, duam të punojmë me ekzekutivin. Ne nuk duam të përjashtojmë askënd. Ne duam të jemi në një marrëdhënie gjithëpërfshirëse në mënyrë që kushdo, nga qytetarët e zakonshëm që përmende me parë, e deri te ministritë dhe institucionet e pavarura, institucionet e drejtësisë, ne duam që të gjithë të punojnë së bashku tani dhe drejt së ardhmes. Ne mendojmë se, e dini, ne duam të falënderojmë këto institucione për punën e tyre në të shkuarën, atë që po bëjnë tani, por më me rëndësi, atë që do të bëjnë në të ardhmen, për ta bërë Shqipërinë një partner më të mirë, për ta bërë Europën një partner më të mirë, dhe si përfundim, për ta bërë aleancën tonë globale më të fortë kundër këtyre kriminelëve të organizuar ndërkombëtarë.

Anila Hoxha: Faleminderit.

Todd D. Robinson: Faleminderit shumë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA