Në një intervistë ekskluzive për Top Channel, dhënë për Anila Hoxhën, Ndihmës-Sekretari i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin Todd D. Robinson, tha se sheh një përmirësim të luftës kundër korrupsionit nga SPAK.
Duke folur më tej ai tha se SHBA dëshiron të shohë më shumë përparim, edhe pse shton se e dinë se ekspertiza dhe ndërtimi i kapaciteteve nuk janë të lehta.
Pjesë nga intervista:
Anila Hoxha: Ku ndodhet Shqipëria në vlerësimin tuaj për sa i takon ligjzbatimit, narko-trafikut, pastrimit të parave dhe anti-korrupsionit?
Todd D. Robinson: Mendoj se kanë treguar se e kanë kapacitetin për t’i kryer këto hetime dhe për t’iu vënë pas këtyre rrjeteve. Po e shohim në Shqipëri. E kam parë në udhëtimet e mia në Amerikën Latine. Kuptojmë që ekspertiza dhe ndërtimi i kapaciteteve nuk janë të lehta. Nuk është diçka e shpejtë. Dhe nuk do të jetë diçka e përsosur. Por shohim që ndodh përparim. Duam të shohim më shumë. Dhe prandaj po ndihmojmë.
Anila Hoxha: Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë theksuar gjithmonë mbështetjen për reformën në drejtësi, financiare dhe morale. A mund të quhet kjo reformë e suksesshme deri në këto momente?
Todd D. Robinson: Është e suksesshme por ka gjithmonë më shumë punë për të bërë. Dhe jemi këtu për të ndihmuar që kjo punë të vazhdojë. Reforma në drejtësi ka shumë nivele të ndryshme – nga sigurimi që qytetarët e zakonshëm kanë qasje në drejtësi, tek sigurimi që ndërveprimi i tyre me sistemin e drejtësisë është transparent dhe një marrëdhënie pozitive për ta, tek sigurimi që ata që futen në sistemin e drejtësisë, kur dënohen për një krim dhe futen në sistemin e burgjeve, që të trajtohen në mënyrë njerëzore. Të gjitha këto janë të rëndësishme, përsëris, për shqiptarët e zakonshëm, të cilët duhet të presin se do të trajtohen pikërisht ashtu kur futen në atë sistem. Dhe prandaj jemi këtu për të ndihmuar, prandaj agjencitë e ndryshme të Shteteve të Bashkuara janë këtu për të ndihmuar.
Top Channel