Allegri i bindur që po bën mirë: Po përmbush ato që më kërkoi klubi

20/03/2024 22:32

Pavarësisht zërave për shkarkim në fund të sezonit dhe 85% të tifozëve që kanë votuar pro largimit të tij në sondazhe, Massimiliano Allegri duket i bindur se po e bën më së miri punën e tij te Juventusi, skuadër të cilën po e drejton për herë të dytë në karrierë.

Në një intervistë të gjatë të dhënë për “The Athletic”, tekniku nga Livorno zbulon se çfarë i kërkuan drejtuesit kur e rikthyen dhe thekson me bindje se i ka përmbushur më së miri pritshmëritë e tyre.

“Kur u riktheva te Juventusi, më kërkuan që të rinovojmë skuadrën, të ulim ndjeshëm moshën mesatare, të ulim nivelin e pagave dhe të jemi konkurrues, por me shpenzime të përballueshme. Besoj se ia kemi dalë më së miri, pasi këtë sezon kemi shumë lojtarë të rinj në ekip dhe shumë të tjerë që po bëjnë shumë mirë të huazuar nëpër skuadra të tjera të Serisë A. Jemi në rrugën e duhur, por të rinjve u mungon vazhdimësia, pasi dihet që pjekuria arrihet ndërmjet moshës 26 dhe 30-vjeçare”, shprehet trajneri bardhezi.

Allegri është ndalur edhe te konkurrenca e Serisë A me kampionate të tjera, teksa ka pranuar se puna me të rinjtë është shndërruar në detyrim për klubet italiane, duke parë përfitimet që kanë skuadrat angleze.

“Diferenca në të ardhura mes Serisë A dhe Premier Leagues është tashmë e pamundur të reduktohet dhe thënë këtë, për klubet italiane është gati e pamundur që të jenë konkurrues duke kërkuar të blejnë produkt të gatshëm. Ndaj strategjia e Juventusit është të bazohemi te të rinjtë dhe të bëjmë pjesë të skuadrës së parë çdo vit nga tre lojtarë të Juventusit U23. Kjo është mënyra e vetme për t’u rritur ekonomikisht dhe për të qenë konkurrues”, tha Allegri./ Super Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA